Ngjarje të tilla tragjike, ku porta të rënda metalike të banesave janë shkëputur nga vendi ose janë rrëzuar mbi fëmijë, janë regjistruar edhe në të kaluarën. Në disa raste, aksidente të ngjashme kanë përfunduar me pasoja fatale, duke marrë jetën e fëmijëve në moshë shumë të vogël.
Një ngjarje e rëndë është regjistruar mesditën e kësaj të shtune në Bathore të Kamzës, ku një fëmijë 7-vjeçar ka humbur jetën pasi është zënë nga porta e banesës.
I mituri është transportuar me urgjencë drejt Spitalit të Traumës në Tiranë, në gjendje shumë të rëndë shëndetësore. Pavarësisht ndërhyrjes së mjekëve, ai nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve të marra.
Lajmi për ndarjen e tij nga jeta është konfirmuar nga burime pranë Spitalit të Traumës. Ngjarje të tilla tragjike, ku porta të rënda metalike të banesave janë shkëputur nga vendi ose janë rrëzuar mbi fëmijë, janë regjistruar edhe në të kaluarën.
Në disa raste, aksidente të ngjashme kanë përfunduar me pasoja fatale, duke marrë jetën e fëmijëve në moshë shumë të vogël. Një prej rasteve më të rënda është regjistruar më 6 gusht 2017 në fshatin Blliçe të Dibrës.
Një 6-vjeçar, i cili kishte shkuar për pushime te daja i tij, po luante në oborrin e banesës kur porta e rëndë prej hekuri, e vendosur mbi shina, u shemb dhe e goditi në kokë. Familjarët e dërguan në spitalin e Peshkopisë, por fëmija nuk mundi të mbijetonte për shkak të plagëve të marra.
Edhe në vitin 2013, dy ngjarje të ngjashme tronditën opinionin publik. Më 8 mars, në fshatin Seman të Fierit, një 3-vjeçar humbi jetën pasi porta hyrëse e banesës u shemb mbi të. Sipas raportimeve të asaj kohe, vogëlushi po luante në oborr kur porta u shkëput nga menteshat dhe e zuri poshtë. Ai u dërgua fillimisht në spitalin e Fierit dhe më pas në Tiranë, por ndërroi jetë pavarësisht përpjekjeve të mjekëve.
Vetëm disa muaj më vonë, më 4 shtator 2013, një tjetër tragjedi u shënua në fshatin Duhanas të Beratit. Një 5-vjeçar humbi jetën pasi u zu poshtë nga një portë e rëndë hekuri, e cila u shkëput gjatë punimeve që babai i tij po kryente në oborrin e shtëpisë. Edhe në këtë rast, transportimi i menjëhershëm në spital nuk mundi ta shpëtonte të miturin.
Raste të ngjashme janë raportuar edhe së fundmi në Kosovë. Më 30 shtator 2026, në fshatin Treboviq të Pejës, një vajzë 5-vjeçare humbi jetën pasi dyshohet se u zu nga porta e oborrit të një banese. Ndërsa më 4 tetor, në fshatin Shalë të Lipjanit, një tjetër fëmijë, 4 vjeç, ndërroi jetë pasi porta metalike e oborrit u shkëput nga vendi i fiksimit dhe ra mbi të.
Tragjedia e sotme në Bathore rikthen vëmendjen te rreziku që mund të paraqesin portat e rënda metalike të banesave, veçanërisht kur mekanizmat e fiksimit dhe menteshat nuk janë të sigurta. Në pak sekonda, një element i zakonshëm i përditshmërisë mund të kthehet në një rrezik vdekjeprurës për fëmijët.









