Një prej pikave më të nxehta u bë zona pranë selisë së Partisë Socialiste, ku protestuesit hodhën molotovë dhe sende të forta, ndërsa policia ndërhyri me gaz lotsjellës. Gjatë përplasjeve u raportua edhe për zjarrvënie në Teatrin e Kukullave, ndërsa godina e Bankës së Shqipërisë u sulmua dhe iu thyen xhamat.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale ka përditësuar informacionin lidhur me numrin e personave të lënduar gjatë protestës së kësaj të shtune.
Sipas të dhënave paraprake të strukturave spitalore, deri në orën 15:15, në dy spitalet janë paraqitur gjithsej 19 persona të lënduar, mes të cilëve 6 efektivë policie, 4 përfaqësues të medias dhe 9 protestues.
Në Spitalin Universitar të Traumës janë paraqitur 17 të lënduar:
5 efektivë policie;
4 përfaqësues të medias, njëra prej të cilëve shtetase e huaj;
8 protestues
Sipas ministrisë, të 17 personat e paraqitur në Spitalin e Traumës ndodhen në gjendje të stabilizuar shëndetësore. Ndërkohë, në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT) janë paraqitur një efektiv policie dhe një protestues.
Në njoftimin e ministrisë nuk jepen detaje mbi gjendjen shëndetësore të dy personave të paraqitur në QSUT apo mbi natyrën e lëndimeve të personave të raportuar.
Pas grumbullimit fillestar në Sheshin Skënderbej dhe marshimit drejt Kryeministrisë, situata doli jashtë kontrollit në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ku protestuesit hodhën gurë, molotovë dhe mjete piroteknike në drejtim të efektivëve.
Policia u kundërpërgjigj me gaz lotsjellës, autobotë me ujë me presion dhe plumba gome, duke tentuar të shpërndajë turmën. Përplasjet vijuan edhe pas zhvendosjes së protestuesve drejt Sheshit Skënderbej, ndërsa tensionet u përhapën në disa zona të tjera të kryeqytetit.
Një prej pikave më të nxehta u bë zona pranë selisë së Partisë Socialiste, ku protestuesit hodhën molotovë dhe sende të forta, ndërsa policia ndërhyri me gaz lotsjellës. Gjatë përplasjeve u raportua edhe për zjarrvënie në Teatrin e Kukullave, ndërsa godina e Bankës së Shqipërisë u sulmua dhe iu thyen xhamat.
Pamjet e transmetuara nga terreni tregojnë gjithashtu protestues me maska, mburoja metalike dhe shkopinj, të cilët vijojnë të konfrontohen me policinë. Në disa momente, efektivët kanë tentuar të avancojnë drejt turmës për ta zmbrapsur atë, por protestuesit nuk janë tërhequr plotësisht.
Ndërkohë, qendra e Tiranës është mbuluar nga retë e gazit lotsjellës, ndërsa situata mbetet e tensionuar dhe zhvillimet vijojnë.









