Shqipëria në kryetitujt e botës: Mijëra njerëz duan largimin e Ramës

Facebook
WhatsApp

Reuters, Associated Press, AFP, The Guardian, Bloomberg, Al Jazeera dhe dhjetëra media të tjera ndërkombëtare kanë pasqyruar protestën e 28 Nëntorit në Tiranë. Nga SHBA-ja dhe Britania deri në Brazil, Singapor e Lindjen e Mesme, vëmendja është përqendruar te përplasjet me policinë, pakënaqësia qytetare dhe kërkesa për dorëheqjen e kryeministrit.

Protesta e sotme ka marrë jehonë të gjerë ndërkombëtare, duke e vendosur Shqipërinë në qendër të vëmendjes mediatike pikërisht në 114-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë. Të paktën 18 media ndërkombëtare kanë raportuar për demonstratën, ku mijëra qytetarë kërkuan largimin e Edi Ramës.

Raportimet evidentojnë kontrastin mes festës kombëtare dhe klimës së tensionuar politike në kryeqytet. Demonstrata nisi në mënyrë paqësore, por më pas u shoqërua me përplasje, përdorimin e gazit lotsjellës dhe topave të ujit nga policia, si dhe hedhjen e gurëve e shisheve me lëndë djegëse nga grupe protestuesish.

Agjencia Reuters e cilëson valën e protestave si sfidën më të madhe politike deri tani për Edi Ramën, i cili qeveris vendin që prej vitit 2013 dhe fitoi mandatin e katërt në zgjedhjet e vitit 2025. Në raportimin e saj, Reuters rendit ndër shkaqet e pakënaqësisë perceptimin për korrupsionin qeveritar, mungesën e vendeve të punës dhe problemet në arsim.

Ndërkohë, Associated Press, në një raportim të publikuar edhe nga The Washington Post, vë në dukje pjesëmarrjen e qytetarëve nga Shqipëria dhe diaspora. Dëshmitë e protestuesve, përfshirë të rinj që kanë udhëtuar posaçërisht nga jashtë vendit, pasqyrojnë pakënaqësinë ndaj klasës politike dhe mungesën e perspektivës për brezin e ri.

Al Jazeera dhe AFP rikthejnë në vëmendje origjinën e lëvizjes, të njohur si “Revolucioni i Flamingove”, e cila nisi në maj kundër projektit turistik luksoz në bregdetin shqiptar, të lidhur me Jared Kushner, dhëndrin e presidentit amerikan Donald Trump. Me kalimin e muajve, kauza mjedisore u zgjerua duke përfshirë kërkesa për luftën kundër korrupsionit, përmirësimin e shërbimeve publike dhe ndryshimin politik.

Pamjet e përplasjeve kanë qenë në qendër të raportimeve të The Guardian dhe Sky News, ndërsa Bloomberg e përshkruan demonstratën si një protestë antiqeveritare që përshkallëzoi në dhunë. Euronews, nga ana tjetër, thekson rolin e studentëve dhe diasporës në mobilizimin qytetar.

Jehona ka shkuar edhe përtej Evropës. Protesta është pasqyruar nga UOL në Brazil, Lianhe Zaobao në Singapor, Al Arabiya në Lindjen e Mesme dhe Yahoo News në Zelandën e Re.

Mediat italiane, përfshirë Agenzia Nova dhe Internazionale, kanë evidentuar edhe një element të veçantë të demonstratës: kundërshtimin e një pjese të protestuesve ndaj të dy drejtuesve kryesorë të politikës shqiptare, Ramës dhe Sali Berishës, përmes parullave “Rama në burg, Berisha në burg!”.

Një tjetër çështje e trajtuar nga mediat ndërkombëtare është ndikimi i zhvillimeve në procesin e integrimit evropian. Al Jazeera rikujton thirrjet e Bashkimit Evropian për hetimin e rasteve të përdorimit të tepruar të forcës nga policia dhe uljen e tensioneve.

Në tërësi, pasqyrimi ndërkombëtar e paraqet protestën e 28 Nëntorit jo si një episod të izoluar, por si kulmin e një pakënaqësie qytetare disamujore. Përtej përplasjeve në rrugët e Tiranës, në qendër të vëmendjes janë akuzat për korrupsion, vështirësitë ekonomike, emigracioni, pakënaqësia ndaj klasës politike dhe kërkesa për largimin e kryeministrit.

Never miss any important news. Subscribe to our newsletter.

Lajme të Ngjashme

Never miss any important news. Subscribe to our newsletter.

Lajmet e Fundit

Editor's Pick