Tetë orë protestë: 30 të lënduar, 16 të shoqëruar nga policia

Facebook
WhatsApp

Disa prej të lënduarve janë djem dhe vajza të rinj dhe të reja që kanë marrë lëndime nga plumbat e gomave. Po ashtu, policët janë lënduar kyresisht nga hedhjet e gurëve.

16 persona, mes tyre edhe vajza, janë shoqëruar nga policia gjatë protestës kombëtare të 28 Nëntorit, e cila prej rreth tetë orësh po shoqërohet me përplasje dhe tensione në disa zona të Tiranës.

Ndërkohë, Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale ka përditësuar bilancin e të lënduarve, ku përfshihen efektivë policie, protestues, përfaqësues të mediave dhe kalimtarë.

Sipas të dhënave të publikuara në orën 18:00, në Spitalin Universitar të Traumës janë paraqitur 30 persona të lënduar, përkatësisht 9 efektivë policie, 12 protestues, 6 përfaqësues të mediave, mes tyre një shtetase e huaj, dhe 3 kalimtarë.

Dy efektivë policie janë transferuar në QSUT për trajtim të mëtejshëm, ndërsa një protestues dhe një përfaqësues i medias kanë lënë spitalin me këshillën e mjekut.

Në Spitalin e Traumës vijojnë të marrin trajtim 26 pacientë, të cilët ndodhen në gjendje të qëndrueshme shëndetësore.

Ndërkohë, në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” janë paraqitur pesë persona, konkretisht tre efektivë policie, një protestues dhe një punonjës sigurie. Katër prej tyre kanë lënë ambientet e spitalit.

Tubimi i organizuar në 114-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë nisi në orën 11:00 në Sheshin “Skënderbej”. Pas marshimit drejt Kryeministrisë, situata u përshkallëzua në përplasje mes protestuesve dhe forcave të rendit.

Gjatë ditës janë regjistruar hedhje gurësh, molotovësh dhe fishekzjarrësh ndaj efektivëve, sulme ndaj godinave të disa institucioneve, si dhe djegie të koshave të mbeturinave.

Për shpërndarjen e protestuesve, policia ka përdorur ujë me presion dhe sasi të mëdha gazi lotsjellës, duke angazhuar edhe dronë. Gjithashtu, është raportuar për përdorimin e plumbave të gomës.

Pavarësisht ndërhyrjeve të njëpasnjëshme të forcave të rendit, protestuesit janë rigrumbulluar disa herë, ndërsa tensionet janë shtrirë në zona të ndryshme të kryeqytetit.

Ende nuk ka një bilanc përfundimtar të të shoqëruarve, të lënduarve dhe dëmeve materiale.

Never miss any important news. Subscribe to our newsletter.

Lajme të Ngjashme

Never miss any important news. Subscribe to our newsletter.

Lajmet e Fundit

Editor's Pick