SPAK bën të ditur se baza e kësaj kërkese ishte kallëzimi penal i paraqitur nga Petrit Çela në Prokurorinë e Republikës pranë Gjykatës së Veronës, në Itali. Pas shqyrtimit të kërkesës dhe dokumentacionit shoqërues, drejtuesi i SPAK vendosi më 19 qershor 2026 mospranimin e saj, duke e cilësuar të pambështetur në ligj dhe në prova.
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka reaguar pas raportimeve mediatike lidhur me një kallëzim penal të depozituar në Itali ndaj ish-drejtuesit të institucionit, Altin Dumani, duke sqaruar kronologjinë e ngjarjeve dhe rrethanat procedurale të çështjes.
Sipas njoftimit zyrtar, shtetasi Petrit Çela i është drejtuar drejtuesit të SPAK më 20 maj dhe 18 qershor 2026 me kërkesë për përjashtimin e prokurorit Altin Dumani nga procedimi penal nr. 193/2023, ku të pandehur janë Marjus Lulaj dhe Mario Çela, familjarë të tij. Në këtë procedim, Dumani ushtronte funksionin e prokurorit të çështjes.
SPAK bën të ditur se baza e kësaj kërkese ishte kallëzimi penal i paraqitur nga Petrit Çela në Prokurorinë e Republikës pranë Gjykatës së Veronës, në Itali. Pas shqyrtimit të kërkesës dhe dokumentacionit shoqërues, drejtuesi i SPAK vendosi më 19 qershor 2026 mospranimin e saj, duke e cilësuar të pambështetur në ligj dhe në prova.
Sipas dokumentacionit të administruar, në Prokurorinë e Veronës është regjistruar procedimi penal nr. R.G.N.R. 3514/2026 – R.G. GIP 2877/2026 për veprën penale të “shpifjes” (calunnia), të parashikuar nga neni 368 i Kodit Penal italian, mbi bazën e kallëzimit të Petrit Çelës ndaj Altin Dumanit.
SPAK sqaron se Prokuroria e Veronës, pas shqyrtimit të akteve, ka paraqitur më 21 prill 2026 kërkesë për arkivimin e procedimit penal, e depozituar më 14 maj 2026. Ndaj kësaj kërkese, Petrit Çela ka paraqitur kundërshtim, çka ka çuar në caktimin e një seance pranë Seksionit GIP/GUP të Gjykatës së Veronës.
Në reagimin e saj, Prokuroria e Posaçme thekson se elementi i vetëm që lidh Altin Dumanin me bashkëpunimin ndërkombëtar në këtë çështje është nënshkrimi, në cilësinë e drejtuesit të SPAK, i një shkrese institucionale më 11 korrik 2024 dhe i marrëveshjes për krijimin e një Skuadre të Përbashkët Hetimore (JIT) më 26 gusht 2024, nismë e ndërmarrë nga autoritetet italiane në kuadër të procedimit penal nr. 10792/2023.
Sipas SPAK, Dumani nuk ka qenë pjesë e grupit hetimor në procedimet penale të zhvilluara në Itali dhe në Shqipëri, nuk ka kryer veprime hetimore apo procedurale në këtë çështje dhe është njohur me ekzistencën e procedimit penal në Itali vetëm në muajin maj 2026, pasi Prokuroria italiane kishte kërkuar tashmë arkivimin e çështjes.
Në përfundim, SPAK vlerëson se nga kronologjia e ngjarjeve rezulton një lidhje mes kallëzimit të paraqitur në Itali dhe interesit të drejtpërdrejtë familjar të Petrit Çelës në procedimin penal nr. 193/2023, duke shtuar se vetë kallëzimi është përdorur si bazë procedurale për kërkesën e përjashtimit të prokurorit të çështjes.
Njoftimi i SPAK:
Duke marrë shkak nga disa lajme dhe artikuj të publikuar në disa nga mediat vendase, të cilat i referohen burimeve të mediave lokale të Verona-s në Republikën e Italisë, sqarojmë opinionin publik si vijon :
Shtetasi Petrit Çela i është drejtuar Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme, më 20.05.2026 dhe më 18.06.2026, me kërkesë për përjashtimin e prokurorit Altin Dumani nga procedimi penal nr. 193/2023, ku janë të proceduar penalisht të pandehurit Marjus Lulaj dhe Mario Çela (familjarët e shtetasit Petrit Çela), procedim penal në të cilin prokurori Altin Dumani ushtron funksionin e prokurorit të çështjes.
Në mbështetje të kërkesës për përjashtim, shtetasi Petrit Çela ka paraqitur pikërisht faktin e kallëzimit penal të ngritur në Verona, Itali. Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme pasi ka vlerësuar kërkesën e paraqitur dhe aktet ku ajo është mbështetur, me vendimin e datës 19.06.2026 ka vendosur “Mospranimin e kërkesës”, si e pambështetur në ligj dhe në prova.
Nga dokumentacioni i paraqitur nga shtetasi Petrit Çela rezulton se në Prokurorinë e Republikës pranë Gjykatës së Veronës, Itali, është regjistruar procedimi penal nr. R.G.N.R. 3514/2026 – R.G. GIP 2877/2026, për veprën penale të “Shpifjes” (calunnia), të parashikuar nga neni 368 i Kodit Penal italian, mbi bazën e një kallëzimi të paraqitur nga shtetasi Petrit Çela ndaj prokurorit Altin Dumani, i cili ka ushtruar funksionin e Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar nga data 19 dhjetor 2022 deri më 19 dhjetor 2025.
Prokuroria e Republikës pranë Gjykatës së Veronës, pas shqyrtimit të akteve, ka paraqitur më datë 21.04.2026 kërkesë për arkivim (richiesta di archiviazione) të procedimit penal, e depozituar më 14.05.2026. Ndaj kësaj kërkese, personi që ka paraqitur kallëzimin penal Petrit Çela ka paraqitur kundërshtim (opposizione) më 11.05.2026, çka ka çuar në caktimin e një seance gjyqësore pranë Seksionit GIP/GUP të Gjykatës së Veronës.
Nga aktet e administruara rezulton se, i vetmi element i identifikuar që lidh prokurorin Altin Dumani me bashkëpunimin ndërkombëtar në fjalë është nënshkrimi, në cilësinë e Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme, i një shkrese institucionale, më datë 11.07.2024, si dhe i një Marrëveshjeje, më datë 26.08.2024, për krijimin e një Skuadre të Përbashkët Hetimore (JIT) mes Prokurorisë së Posaçme dhe Prokurorisë së Republikës pranë Gjykatës së Veronës, nismë e ardhur nga vetë autoritetet italiane në kuadër të procedimit penal nr. 10792/2023.
Prokurori Altin Dumani nuk ka qenë pjesë e grupit hetimor të procedimeve penale nr.10792/2023 (Itali) dhe nr.123/2024 (Prokurori e Posaçme), nuk ka kryer veprime hetimore, marrje në pyetje, sekuestrime apo kërkesë për sekuestrim, si dhe ka marrë dijeni për ekzistencën e procedimit penal në Itali vetëm në muajin maj 2026, pra pas paraqitjes së kërkesës për arkivim nga ana e Prokurorisë italiane.
Nga kronologjia e sipërpërmëndur rezulton lidhja ndërmjet kallëzimit të paraqitur në Itali dhe interesit të drejtpërdrejtë familjar që kallëzuesi Petrit Çela ka në procedimin penal nr.193/2023 të Prokurorisë së Posaçme, si dhe përdorimi i vetë faktit të kallëzimit penal si bazë procedurale për kërkesën e përjashtimit të prokurorit të çështjes.









