Një ekspert vlerësoi se vetëm gjatë një periudhe tremujore rrjeti kishte shpërndarë rreth 790 gramë kokainë. Mesazhet e sekuestruara gjatë hetimit tregonin gjithashtu diskutime për blerjen e sasive të mëdha të kokainës me vlerë 36 mijë paund.
Një familje shqiptare në Britaninë e Madhe është dënuar me burg për përfshirjen në një rrjet të shpërndarjes së drogës, i cili sipas autoriteteve funksiononte përmes WhatsApp-it dhe arrinte të siguronte deri në 9 mijë paund brenda një nate.
Gjykata dënoi me 7 vite e 6 muaj burg 44-vjeçarin Rezart Balesi, i cilësuar si figura kryesore e aktivitetit të trafikut të drogës. Djali i tij, Joshua Balesi, 22 vjeç, u dënua me 4 vite burg, ndërsa vëllai i Rezartit, Refail Balesi, 39 vjeç, mori një dënim prej 5 vitesh e 3 muajsh.
Sipas Daily Mail, Rezart Balesi përdorte restorantin e tij të vogël, “Village Bistro”, në Vernon Street, Greenmount, Bury, si bazë për operacionin.
Djali dhe vëllai i tij kontrollonin një linjë telefonike që përdorej për shitjen e drogës. Përmes saj merreshin porositë për kokainë dhe më pas shpërndarësit e besuar udhëzoheshin për të kryer dorëzimet.
Joshua ishte vetëm 18 vjeç kur u përfshi në këtë aktivitet. Gjatë procesit, gjyqtarja iu drejtua të atit duke i thënë se përfshirja e djalit të tij në një moshë kaq të re “duhet të ishte një turp” për të.
Pjesë e çështjes ishin edhe disa persona të tjerë. Fatos Vrenezi, 53 vjeç, dhe Lorenzo Canovi, 48 vjeç, të cilët akuzoheshin si shpërndarës të drogës, u dënuan përkatësisht me 4 vite dhe 37 muaj burg.
Immanuel Lumaj, 30 vjeç, mori një dënim prej 3 vitesh e 9 muajsh burg. Fjoraldo Lukaj, 31 vjeç, u dënua me 3 vite e 6 muaj dhe, sipas raportimit, do të dëbohet nga Britania.
Ndërkohë, Antonino Precaj, 33 vjeç, u dënua me 27 muaj burg për rolin e tij në një episod të veçantë që lidhej me kultivimin e kanabisit, ku ishte përfshirë edhe Joshua Balesi.
Sipas hetimeve, aktiviteti i rrjetit besohet se është zhvilluar nga maji i vitit 2024 deri në mars 2026.
Prokurorët thanë se ishte e vështirë të përcaktohej përmasa e plotë e trafikut të drogës. Megjithatë, provat e paraqitura treguan se në ditë të caktuara kryheshin dhjetëra shitje kokaine.
Një ekspert vlerësoi se vetëm gjatë një periudhe tremujore rrjeti kishte shpërndarë rreth 790 gramë kokainë. Mesazhet e sekuestruara gjatë hetimit tregonin gjithashtu diskutime për blerjen e sasive të mëdha të kokainës me vlerë 36 mijë paund.
Sipas komunikimeve të analizuara nga hetuesit, aktiviteti mund të gjeneronte deri në 9 mijë paund brenda një nate.









