A do të përhapet lufta nga Ukraina në pjesën tjetër të Evropës?

Facebook
WhatsApp

Përpjekjet për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë përmes negociatave po hasin vështirësi, ndërsa rreziku që konflikti të përshkallëzohet mbetet real. SHBA-ja duket se nuk ka ndërmend të marrë përsipër imponimin e një marrëveshjeje paqeje, ndërsa Evropa vazhdon të mbështesë Kievin financiarisht dhe ushtarakisht. Në këto rrethana, shtrohet gjithnjë e më shumë pyetja nëse paqja është ende e arritshme apo nëse lufta mund të përfshijë edhe vende të tjera të kontinentit…

Muajt e këtij dimri mund të krijojnë një mundësi të mirë për arritjen e një marrëveshjeje paqeje mes Rusisë dhe Ukrainës. Por, krahas shpresave për një zgjidhje diplomatike, nuk duhet nënvlerësuar as rreziku që negociatat të dështojnë dhe konflikti të marrë përmasa më të mëdha.

Për shembull, ish-presidenti serb Aleksandar Vuçiç, ka shprehur bindjen se lufta nuk do të përfundojë, por do të shndërrohet në një konflikt më të gjerë evropian. Shqetësimet janë shtuar edhe pas deklaratave të bëra këtë javë nga i dërguari i posaçëm i SHBA-së, Jared Kushner.

Në një intervistë me Mathias Döpfnerin, drejtorin ekzekutiv të grupit mediatik Axel Springer, dhëndri i Donald Trumpit dha të kuptohej se negociatat për paqen kanë ngecur dhe se skenari i paralajmëruar nga Vuçiçi nuk është aspak i pamundur.

Ideja e shkëmbimit të anëtarësimit të Ukrainës në NATO me territorin e Donbasit, duket se nuk ka gjasa të funksionojë. Një zgjidhje më e mundshme për garancitë e sigurisë pas luftës, do të ishte një marrëveshje e ngjashme me nenin 5 të Traktatit të NATO-s.

Megjithatë edhe kjo ide, të paktën deri tani, mbetet më shumë një deklaratë politike sesa një garanci konkrete. Kushner vuri në dukje se edhe neni 5 i NATO-s nuk nënkupton një reagim automatik në rast sulmi.


Sipas tij, secili shtet anëtar vendos vetë nëse do të angazhohet në mbrojtje të aleatëve dhe në çfarë mase. Ndërkohë, Rusia nuk ka dhënë asnjë shenjë gatishmërie për të diskutuar statusin e pjesëve të Donbasit që ende nuk i ka pushtuar.

As nga deklaratat e Kushnerit nuk rezulton se negociatorët po shqyrtojnë ndonjë propozim të ri për zgjidhjen e kësaj çështjeje. Megjithatë, historia evropiane ofron disa shembuj se si janë zgjidhur në të kaluarën mosmarrëveshje të ngjashme territoriale.

Njëra prej tyre është Shlezvigu, ku pjesa veriore votoi për t’iu bashkuar Danimarkës, ndërsa pjesa qendrore vendosi të mbetej pjesë e Gjermanisë. Shembuj të tjerë janë Trieste, për të cilën pati mosmarrëveshje mes Italisë dhe Jugosllavisë, Tiroli i Jugut, mes Italisë dhe Austrisë, si dhe rajoni i Saarlandit, mes Gjermanisë dhe Francës.

Kushner duket se i njeh mirë hollësitë teknike të negociatave, por njohuritë e tij për historinë evropiane lënë më shumë vend për pikëpyetje. Në intervistën me Döpfnerin, ai përsëriti pretendimin rus se Rusia është pushtuar nga Perëndimi një herë në shekull, përmes territorit të Ukrainës.

Por historia na tregon diçka tjetër. Napoleoni marshoi drejt Rusisë përmes Lituanisë dhe Bjellorusisë, ndërsa Hitleri e nisi pushtimin nga rajoni i Baltikut dhe më pas përparoi drejt Ukrainës.

Në të kaluarën, pushtimet janë zhvilluar kryesisht përmes tri rrugëve: korridorit të Evropës Qendrore, që kalonte nëpër Poloni dhe Bjellorusi; korridorit jugor, përmes fushave të Ukrainës përgjatë Detit të Zi; dhe korridorit baltik.

Në këtë kontekst, mbetet e paqartë se si pushtimi i 10 për qindëshit të mbetur të Donbasit do të mund të rriste realisht sigurinë e Rusisë. Një gjë tjetër që u bë e qartë nga intervista e Kushnerit, është se SHBA-ja nuk ka ndërmend të imponojë një marrëveshje paqeje.

Uashingtoni e sheh veten si ndërmjetësues neutral dhe është i gatshëm të tërhiqet nga procesi nëse negociatat nuk ecin përpara. Nga ana tjetër, liderët evropianë duket se nuk janë përgatitur për mundësinë e një marrëveshjeje paqeje.

Kancelari gjerman Friedrich Merz ka përsëritur disa herë se Ukraina ka fituar epërsi në fushën e betejës. Pavarësisht disa lëvizjeve diplomatike të ditëve të fundit, strategjia e Evropës nuk ka ndryshuar: vazhdim i mbështetjes për Ukrainën dhe shtim i sanksioneve, me shpresën se në fund Rusia do të detyrohet të tërhiqet.

Të enjten, gazeta Financial Times publikoi një letër të hapur të nënshkruar nga disa ish-kryeministra, ish-ministra të lartë dhe figura të njohura amerikane, mes tyre edhe ish-sekretarja e Thesarit Janet Yellen dhe ekonomisti Larry Summers.

Në letër, nënshkruesit u bëjnë thirrje qeverive perëndimore që të sigurojnë financimin e Ukrainës deri në fund të vitit 2029 dhe të përdorin që tani asetet ruse të ngrira.

Propozimi mbështetet në një mekanizëm, që të paktën nga ana ligjore, synon të shmangë konfiskimin e drejtpërdrejtë të këtyre aseteve. Megjithatë, në praktikë dhe nga pikëpamja ekonomike, rezultati do të ishte pothuajse i njëjtë.

Problemi kryesor është se liderëve evropianë u mungon një strategji e qartë për t’i dhënë fund luftës, qoftë përmes fitores së Ukrainës, qoftë përmes një marrëveshjeje paqeje.

Edhe në aspektin financiar, Rusia vazhdon të shpenzojë më shumë se vendet që e mbështesin Ukrainën në kontinent, madje edhe nëse asetet e saj do të konfiskoheshin. Për periudhën 2027-2029, Moska ka planifikuar shpenzime që kalojnë 600 miliardë dollarët. Sa për krahasim, ndihma që Evropa i ka dhënë Ukrainës gjatë viteve 2022-2025 ka qenë pak më shumë se 180 miliardë dollarë.

Edhe nëse asetet ruse të ngrira në Belgjikë do të konfiskoheshin që të gjitha, kjo do të mjaftonte për të financuar vetëm një vit shtesë të mbështetjes për Ukrainën. Po pastaj? Kjo është pyetja që duket se liderët evropianë nuk kanë arritur ende që t’i japin një përgjigje bindëse.

Never miss any important news. Subscribe to our newsletter.

Lajme të Ngjashme

Never miss any important news. Subscribe to our newsletter.

Lajmet e Fundit

Editor's Pick