Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë kodrat mes Radostinës dhe Levanit, duke krijuar një situatë alarmante në disa zona të Fierit. Flakët kanë detyruar evakuimin e banorëve, ndërprerjen e qarkullimit dhe angazhimin e forcave zjarrfikëse edhe nga ajri.
Një zjarr i madh që shpërtheu mesditën e sotme në kodrat pranë fshatit Radostinë ka marrë përmasa shqetësuese, duke u përhapur me shpejtësi drejt Levanit dhe zonës së Peshtanit të Vogël. Era e fortë dhe temperaturat e larta kanë favorizuar avancimin e flakëve, të cilat kanë përfshirë sipërfaqe të gjera me ullishte, shkurre dhe pisha.
Në disa zona, zjarri ka kapërcyer rrugën e asfaltuar dhe linjën hekurudhore Fier-Vlorë, duke zgjeruar ndjeshëm perimetrin e vatrës. Për arsye sigurie është ndërprerë qarkullimi në segmentin Fier-Levan, ndërsa tymi i dendur ka vështirësuar lëvizjen dhe ka krijuar rrezik për automjetet që qarkullonin në këtë aks.
Flakët janë afruar pranë banesave, lokaleve dhe disa njësive të biznesit. Policia dhe strukturat e emergjencave kanë nisur evakuimin e banorëve në zonat më të rrezikuara, ndërsa disa lokale përgjatë rrugës janë boshatisur për të shmangur çdo pasojë të mundshme.
Pamjet nga zona kanë treguar momente të vështira për banorët, disa prej të cilëve janë larguar nga shtëpitë duke marrë me vete sendet personale. Të tjerë kanë hezituar të braktisin pronat e tyre, ndërsa flakët vazhdonin të afroheshin pranë zonave të banuara.
Në rrezik është raportuar se ndodhej edhe një pikë karburanti, si dhe biznese të tjera përgjatë aksit rrugor. Deri në informacionet e fundit nuk raportohej për banesa apo lokale të djegura, por autoritetet e kanë konsideruar situatën ende kritike për shkak të frontit të gjerë të zjarrit dhe ndryshimit të vazhdueshëm të drejtimit të flakëve.
Kreu i Emergjencave Civile, Haki Çako, deklaroi nga terreni se të gjitha strukturat janë angazhuar për vendosjen e situatës nën kontroll. Në operacion janë përfshirë forcat zjarrfikëse, njësitë vendore dhe një helikopter që ka kryer hedhje uji mbi vatrat më problematike.
Sipas Çakos, mbrojtja e jetës së njerëzve dhe zonave të banuara mbetet prioriteti kryesor, ndërsa kapacitetet për evakuimin e banorëve janë në gatishmëri të plotë.
Situata është rënduar edhe në Levan, ku flakët kanë përfshirë një stallë bagëtish. Zjarri ka shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale, duke djegur bazën ushqimore të bagëtive dhe disa makineri bujqësore. Ndërhyrja e zjarrfikësve ka bërë të mundur shpëtimin e më shumë se 20 krerëve lopë që ndodheshin në stallë.
Përmasat e zjarrit janë ndjerë edhe jashtë Fierit. Shtëllungat e mëdha të tymit janë vërejtur deri në Vlorë, ku një pjesë e qiellit në hyrje të qytetit është mbuluar nga tymi i zi.
Forcat e emergjencave vijojnë operacionin për izolimin e vatrave, ndërsa era e fortë dhe terreni i thyer mbeten pengesat kryesore në përpjekjet për të vënë flakët nën kontroll. Deri tani nuk raportohet për persona të lënduar, por rreziku për zonat e banuara dhe bizneset pranë frontit të zjarrit mbetet ende i lartë.









