Televizioni amerikan CNN ngre shqetësime për punimet në zonën e mbrojtur të Zvërnecit, duke sjellë në vëmendje akuza për ndërhyrje dhe reagime nga ekspertë dhe institucione evropiane.
Drejtori për Evropën në organizatën mjedisore BirdLife, Ariel Brunner, deklaroi se ai dhe ambientalistë të tjerë vizituan zonën në fillim të majit, ku panë ekskavatorë duke gërmuar në plazh dhe kamionë që shtronin zhavorr. “Nuk kishte asnjë tabelë informuese, as pranë lagunës ku po hapej rruga dhe as në plazh ku operonin makineritë… nuk kishte asnjë shenjë që tregonte për ndonjë licencë, leje apo qoftë edhe një deklaratë që identifikonte subjektin përgjegjës”, u shpreh Brunner.
Sipas CNN, një ndryshim ligjor i fundit i ka hapur rrugën ndërtimit të resorteve në zonat e mbrojtura mjedisore. “Zakonisht, fakti që njerëzit e pasur arrijnë të realizojnë atë që duan maskohet nën terma si ‘interes publik’ apo ‘situata të jashtëzakonshme’. Por të shkruash në ligj se resortet luksoze përjashtohen nga kufizimet është vërtet e pazakontë”, tha Brunner. “Ky është një nga tekstet më brutale legjislative që kam hasur në fushën e mjedisit gjatë karrierës sime.”
Ndërkohë, CNN ka marrë një reagim edhe nga Komisioni Evropian. “Ne ia kemi shprehur tashmë shqetësimet tona ministrit të Mjedisit lidhur me mangësitë e mundshme të këtij projekti”, deklaroi një zëdhënës i Komisionit Evropian për CNN, në lidhje me zhvillimet në peizazhin e mbrojtur Pishë Poro–Nartë. “Shqetësimet tona nuk janë të reja… Zgjatja e përsëritur e ligjit për investimet strategjike nga Shqipëria vijon të ngrejë pikëpyetje për ndikimet e mundshme mjedisore, veçanërisht në zonat e mbrojtura.”
Zëdhënësi shtoi se Ministria e Mjedisit e Shqipërisë është zotuar se punimet e ndërtimit janë pezulluar. Ai theksoi gjithashtu se hetimet antikorrupsion të SPAK-ut “thuhet se shtrihen përtej shqetësimeve mjedisore”.









