Vetëm dy ditë pas ceremonisë së Ditës së Alfabetit në Manastir, ku Edi Rama dhe Albin Kurti, sipas raportimeve mediatike, shmangën takimin me njëri-tjetrin, dy kryeministrat janë përballur sërish në Bruksel.
Këtë herë, ndryshe nga skenari i Manastirit, Rama dhe Kurti nuk e kanë shmangur kontaktin, por kanë shkëmbyer një përshëndetje dhe kanë shtrënguar duart në kuadër të samitit të zhvilluar në kryeqendrën evropiane.
Takimi u zhvillua gjatë aktivitetit të drejtuar nga presidenti i Këshillit Evropian, António Costa, dhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
Pamjet nga nisja e samitit kanë rikthyer në vëmendje marrëdhëniet mes dy liderëve shqiptarë, të cilat prej kohësh janë shoqëruar me tensione dhe episode që nuk kanë kaluar pa u komentuar në publik.
Ndërkohë, të dy kryeministrat kanë dhënë deklarata të veçanta për mediat përpara hyrjes në seancën e samitit.
Edi Rama dhe Albin Kurti ndodheshin në Bruksel për të marrë pjesë në Samitin Bashkimi Evropian – Ballkani Perëndimor, ku liderët e rajonit diskutuan me përfaqësuesit e lartë të BE-së mbi procesin e integrimit evropian, reformat, bashkëpunimin rajonal dhe mbështetjen ekonomike për vendet e Ballkanit Perëndimor.
Samiti u zhvillua nën drejtimin e Presidentit të Këshillit Evropian, António Costa, dhe Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
Udhëheqësit evropianë kërkuan intensifikimin e bashkëpunimit në luftën kundër korrupsionit, trafikimit të drogës, krimit të organizuar, terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm. Në fushën e migracionit, BE-ja u bëri thirrje vendeve të rajonit të harmonizojnë plotësisht politikat e vizave me ato evropiane, të forcojnë menaxhimin e kufijve dhe të përmirësojnë sistemet e azilit dhe të pritjes së migrantëve.









