Situata pritet të përkeqësohet më 26 nëntor, kur parashikohen reshje intensive deri lokalisht shumë intensive në qarqet Shkodër, Kukës, Vlorë dhe Gjirokastër.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile ka paralajmëruar për përkeqësim të situatës meteorologjike në disa qarqe të vendit gjatë ditëve në vijim, duke u bërë thirrje institucioneve vendore dhe qytetarëve të marrin masa parandaluese për të shmangur pasojat e mundshme nga reshjet e dendura.
Sipas parashikimeve të Institutit të Gjeoshkencave (IGJEO) dhe Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, gjatë pasdites së sotme, 25 nëntor, priten reshje të dobëta deri lokalisht mesatare në qarqet Shkodër dhe Kukës.
Situata pritet të përkeqësohet ditën e nesërme, më 26 nëntor, kur parashikohen reshje intensive deri lokalisht shumë intensive në qarqet Shkodër, Kukës, Vlorë dhe Gjirokastër. Ndërkohë, më 27 nëntor, reshjet me intensitet të lartë pritet të vijojnë në qarqet Vlorë dhe Gjirokastër.
Për shkak të reshjeve, ekziston rreziku i grumbullimit të ujit dhe përmbytjeve të lokalizuara në zona të ndryshme urbane. Gjithashtu, në zonat malore kërkohet vëmendje e shtuar për shkak të mundësisë së vërshimeve të përrenjve dhe rrëshqitjeve të dherave.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile u ka kërkuar prefektëve dhe bashkive të marrin masat e nevojshme parandaluese, të kontrollojnë sistemet e kullimit, të monitorojnë zonat me risk dhe të mbajnë në gatishmëri kapacitetet operacionale për ndërhyrje në rast emergjencash.
AKMC u bën apel qytetarëve të tregojnë kujdes gjatë lëvizjeve, të marrin masa për mbrojtjen e familjarëve dhe pronës, si dhe të ndjekin me vëmendje njoftimet zyrtare dhe udhëzimet e strukturave vendore.









