Vendimi për kthimin në vendin e origjinës së këtyre dy ngarkesave të importuara nga subjekti ZICO sh.a është marrë, pasi ka rezultuar se të dhënat e certifikatave shoqëruese nuk përkojnë me të dhënat në sistem.
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka bllokuar dy ngarkesa me 54 tonë mish pule të importuara nga Brazili, pas kontrolleve të kryera në Pikën e Inspektimit Kufitar në Durrës.
Sipas AKU-së, ngarkesat e importuara nga subjekti “ZICO” sh.a. do të kthehen në vendin e origjinës, pasi të dhënat e certifikatave shoqëruese nuk përputheshin me ato në sistem.
Ndërkohë, në Pikën e Inspektimit Kufitar në Morinë, AKU ka refuzuar hyrjen e një ngarkese nga Kosova me 7 tonë miell gruri dhe 18 tonë hime gruri. Autoriteti ka konstatuar mangësi në dokumentacionin shoqërues, parregullsi në etiketimin e produkteve, si dhe mungesë të fletës së analizës për aflatoksinën në rastin e miellit.
Sipas të dhënave të publikuara nga AKU, gjatë muajit nëntor në Pikat e Inspektimit Kufitar kanë mbërritur gjithsej 5.277 ngarkesa me produkte me origjinë shtazore, joshtazore dhe inpute bujqësore. Autoriteti ka marrë 167 mostra për analiza, nga të cilat deri më tani nuk ka konstatuar raste të mospërputhjes me standardet. Në total, AKU ka refuzuar tri ngarkesa në kufi.
Njoftimi i plotë i AKU-së:
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit në kuadër të informimit publik dhe transparencës, bën me dije se gjatë muajit nëntor 2026 në Pikat e Inspektimit Kufitar (PIK) janë importuar në total 5277 ngarkesa nga të cilat 1276 ngarkesa me origjinë shtazore, 2834 ngarkesa me origjinë joshtazore, 1167 ngarkesa MBIB (Produkte të mbrojtjes së bimëve dhe inputeve bujqësore).
Gjithashtu, janë marrë në total 167 mostra, nga analizimi i të cilave nuk kanë rezultuar raste jokonforme deri më tani.
Përsa i takon rasteve të refuzimeve në kufi rezultojnë të jenë 3 ngarkesa, 2 në PIK Durrës dhe 1 në PIK Morinë.
Nga vlerësimi i praktikave në PIK Durrës, është marrë masë me bllokim për dy ngarkesa me 54 ton mish pule me destinacion kthim në vendin e origjinës, në Republikën Federative të Brazilit.
Vendimi për kthimin në vendin e origjinës së këtyre dy ngarkesave të importuara nga subjekti ZICO sh.a është marrë, pasi ka rezultuar se të dhënat e certifikatave shoqëruese nuk përkojnë me të dhënat në sistem.
Në këto kushte, në zbatim të legjislacionit në fuqi, ngarkesat do të kenë destinacion kthimin në vendin e origjinës.
Nga vlerësimi i praktikave në PIK Morinë, është marrë masë me refuzimin në kufi për një ngarkesë me produkt “Miell gruri tip 400 dhe 500” me sasi 7 ton dhe produkti “Hime gruri” me sasi 18 ton me destinacion kthim në vendin e origjinës Kosovë.
Kthimi në vendin e origjinës së kësaj ngarkese të importuar nga subjekti “Mirela Bërdufi” është kryer për arsye se për produktet “Miell gruri” dhe “Hime Gruri” kishte mungesë të theksuar të dokumentacionit shoqërues; në pjesën më të madhe të ngarkesës “Miell Gruri” nuk lexohej data e prodhimit dhe e skadencës, nuk përputhej niveli i proteinave në ambalazh dhe dokumente, nuk posedonte nr. LOT dhe fletë analize të Aflatoxinës.
Ndërsa, përsa i përket produktit “Hime Gruri”, në të njejtën ngarkesë nuk kishte nr. LOT në etiketa për të bërë lidhjen midis produktit me dokumentacionin shoqërues.
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit mbetet i angazhuar në garantimin e sigurisë ushqimore dhe mbrojtjen e shëndetit të konsumatorit.









