PD çon në Gjykatën Kushtetuese Reformën Territoriale

Facebook
WhatsApp

Edhe pse reforma u miratua me 85 vota, PD pretendon se tre prej tyre janë të pavlefshme, çka do të thotë se ligji ka marrë vetëm 82 vota të vlefshme, nga 84 që kërkohen për miratimin e një ligji të tillë. Sipas padisë, në vend të deputetes Mirela Kumbaro ka votuar një punonjëse e administratës së Kuvendit.

Partia Demokratike ka depozituar në Gjykatën Kushtetuese një kërkesë për shfuqizimin e ligjit të ri për ndarjen administrativo-territoriale, që parashikon uljen e numrit të bashkive në Shqipëri nga 61 në 46.

Përmes kësaj padie, demokratët kërkojnë gjithashtu pezullimin e menjëhershëm të zbatimit të ligjit, duke argumentuar se ai është miratuar në kundërshtim me Kushtetutën dhe se mund të krijojë probleme serioze për organizimin e zgjedhjeve vendore të vitit 2027.

Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, ka bërë publike argumentet mbi të cilat mbështetet kërkesa, duke evidentuar katër shkelje që, sipas demokratëve, e bëjnë reformën antikushtetuese.

Pretendimi i parë lidhet me votimin e ligjit në Kuvend. Edhe pse reforma u miratua me 85 vota, PD pretendon se tre prej tyre janë të pavlefshme, çka do të thotë se ligji ka marrë vetëm 82 vota të vlefshme, nga 84 që kërkohen për miratimin e një ligji të tillë.

Sipas padisë, në vend të deputetes Mirela Kumbaro ka votuar një punonjëse e administratës së Kuvendit, ndërsa mandatet e deputetëve Zeqine Çaushi dhe Tedi Mula janë marrë në kundërshtim me procedurat kushtetuese dhe ligjore.

Një tjetër pikë e kundërshtimit është mungesa e konsultimit me qytetarët për ndryshimin e kufijve të bashkive. Sipas PD-së, në 41 nga 61 bashkitë nuk ka dokumentacion që të vërtetojë se banorëve u është marrë paraprakisht mendimi për ndarjen e re territoriale.

Demokratët i referohen edhe raportit të 7 tetorit 2026 të Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Europës, ku ngrihen shqetësime për konsultimet me komunitetet, të cilat janë zhvilluar në një fazë tepër të avancuar të procesit dhe nuk kanë garantuar pjesëmarrje kuptimplotë në kohën e duhur.

Sipas padisë, kjo përbën shkelje të nenit 5 të Kartës Europiane të Autonomisë Vendore, që kërkon konsultimin paraprak të komuniteteve përpara ndryshimit të kufijve territorialë.

PD kundërshton gjithashtu efektet e reformës mbi autonominë vendore. Sipas saj, reduktimi i numrit të bashkive nuk garanton decentralizimin, por përkundrazi përqendron më tej pushtetin, largon shërbimet nga qytetarët dhe shpërfill qëndrimet e komuniteteve dhe autoriteteve vendore të prekura.

Në kërkesën drejtuar Kushtetueses argumentohet edhe se ligji i ri krijon përplasje me Kodin Zgjedhor dhe ligjin për vetëqeverisjen vendore, duke sjellë pasiguri juridike për organizimin, përfaqësimin dhe zgjedhjen e organeve të pushtetit vendor.

Përtej kërkesës për shfuqizimin e ligjit, PD kërkon që Gjykata Kushtetuese të pezullojë menjëherë zbatimin e tij dhe ta shqyrtojë çështjen me përparësi. Sipas demokratëve, ndërhyrja e Gjykatës është urgjente për shkak të zgjedhjeve vendore të dekretuara për 9 maj 2027. 

Argumenti i tyre është se, nëse procesi i përgatitjes së zgjedhjeve nis mbi bazën e hartës së re me 46 bashki dhe ligji shfuqizohet më pas nga Kushtetuesja, mund të mos ketë kohë të mjaftueshme për organizimin e zgjedhjeve në 61 bashkitë ekzistuese.

Për këtë arsye, demokratët kërkojnë pezullimin e ligjit deri në një vendimmarrje përfundimtare, me qëllim shmangien e pasigurisë ligjore dhe institucionale në prag të zgjedhjeve vendore.

Never miss any important news. Subscribe to our newsletter.

Lajme të Ngjashme

Never miss any important news. Subscribe to our newsletter.

Lajmet e Fundit

Editor's Pick