Protestat\ Kushtetuesja pezullon gjobat për bllokimin e rrugëve

Facebook
WhatsApp

Ndryshimet në ligj parashikojnë gjoba deri në 200 mijë lekë për mosbindjen ndaj urdhrave të policisë gjatë protestave, ndërsa për personat që fshehin identitetin masa mund të arrijë deri në 500 mijë lekë.

Gjykata Kushtetuese ka vendosur të pezullojë pjesërisht zbatimin e aktit normativ nr. 5, të datës 28 tetor 2026, të miratuar nga Këshilli i Ministrave, i cili parashikon ndryshime në ligjin “Për tubimet”.

Vendimi është marrë ditën e sotme, pas shqyrtimit të kërkesës së paraqitur nga disa organizata të shoqërisë civile dhe grupime studentore, të cilat i janë drejtuar Gjykatës Kushtetuese duke kërkuar edhe shfuqizimin e plotë të aktit normativ të qeverisë.

Me shumicë votash, Mbledhja e Gjyqtarëve vendosi pezullimin e zbatimit të nenit 5 të aktit normativ, konkretisht të pjesës që parashikon vendosjen e sanksioneve administrative për bllokimin e rrugëve automobilistike gjatë zhvillimit të tubimeve, në rastet kur pengohet qarkullimi i mjeteve të transportit.

Krahas pezullimit të pjesshëm të aktit normativ, Gjykata Kushtetuese ka vendosur që çështja të shqyrtohet me përparësi.

Gjykata Kushtetuese pritet të shqyrtojë në themel pretendimet e palëve kërkuese dhe të vendosë mbi kushtetutshmërinë e aktit normativ të miratuar nga qeveria.

Ndryshimet në ligj parashikojnë gjoba deri në 200 mijë lekë për mosbindjen ndaj urdhrave të policisë gjatë protestave, ndërsa për personat që fshehin identitetin masa mund të arrijë deri në 500 mijë lekë (5,000 euro). Policia, me miratimin e prefektit, mund të ndalojë ose kufizojë tubimet pranë institucioneve publike, arsimore dhe shëndetësore për një periudhë deri në 72 orë.

Parashikohet gjithashtu largimi i detyruar i personave nga zona të mbrojtura, si dhe ndërhyrja ndaj thirrjeve për dhunë në rrjetet sociale. Policia do të regjistrojë me mjete audiovizuale protestat dhe ndërhyrjet e saj, ndërsa do të krijojë një regjistër të posaçëm për personat e referuar në prokurori ose nën hetim për akte dhune gjatë manifestimeve.

Në raste të caktuara, regjistri mund të përdoret edhe për kontrolle kufitare, deri në refuzimin administrativ të daljes nga Shqipëria.

Njoftimi:

Më 26.11.2026, Mbledhja e Gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese shqyrtoi kërkesën për pezullimin e pjesshëm të zbatimit të aktit normativ nr. 5, datë 28.10.2026, të Këshillit të Ministrave, “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8773, datë 23.04.2001, ‘Për tubimet’”.

Kërkesa për pezullim u paraqit nga Qendra “Res Publica”, Komiteti Shqiptar i Helsinkit, Shoqata Ornitologjike e Shqipërisë, Qendra për Ruajtjen e Ekosistemeve Natyrore në Shqipëri dhe grupimet informale studentore “Studentët n’Protestë” dhe “Revolucioni Studentor”, të cilat kanë kërkuar edhe shfuqizimin në tërësi të aktit normativ.

Në përfundim të shqyrtimit, Mbledhja e Gjyqtarëve, me shumicë votash, vendosi:

  1. Pranimin e pjesshëm të kërkesës për pezullim.
  2. Pezullimin e zbatimit të nenit 5 të aktit normativ, në pjesën që shton nenin 24/1, pika 2, të ligjit “Për tubimet”. Kjo dispozitë parashikon sanksion administrativ për bllokimin e rrugëve automobilistike ose të akseve rrugore gjatë një tubimi, me pasojë pengimin e qarkullimit të mjeteve të transportit.
  3. Shqyrtimin me përparësi të çështjes.

Çështja për shfuqizimin e aktit normativ ishte kaluar për shqyrtim në seancë plenare publike më 25.11.2026.

Never miss any important news. Subscribe to our newsletter.

Lajme të Ngjashme

Never miss any important news. Subscribe to our newsletter.

Lajmet e Fundit

Editor's Pick