E penduara e SPAK fundos Olta Xhaçkën, çfarë është zbuluar?

Facebook
WhatsApp

Transaksionet e dyshuara në Austri, kapin qindra mijëra euro dhe i përkasin periudhës kur Xhaçka drejtonte Ministrinë e Mbrojtjes.

Një hetim i SPAK ndaj kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erjon Veliaj, ka çuar në hapjen e dosjeve të tjera hetimore, për vëllain e Veliajt, Arbër Veliaj dhe çiftin e bashkëshortëve deputeten e PS, Olta Xhaçka dhe ish-deputetin e PS, Artan Gaçi.

Provat fillestare që kanë shërbyer për hapjen e këtyre çështjeve në SPAK, janë disa komunikime dhe shënime të zbuluara në kompjuterin dhe telefonin e sekuestruar Adela Kondakçi, financieres personale të Ajola Xoxes.

Adela Kondakçi, sot gëzon statusin e bashkëpuntores së SPAK dhe sipas dosjes hetimore ajo ka pasur marëdhënie pune me financat e ish-kryetarit të bashkisë, Jorgo Goro.

Pikërisht nga kjo çështje penale e Jorgo Goros, SPAK shoi tek Adela Kondakçi dhe më pas “kapërceu” tek dosja e Erjon Veliaj, Ajola Xoxes, Arbër Veliaj dhe tashmë ka depërtuar tek një seri transaksionesh bankare që lidhen me çiftin e bashkëshortëve, Olta Xhaçka dhe Artan Gaçi.

Disa shënime të sekuestruara në kompjuterin e financieres Adela Kondakçi dhe komunikime ne telefonin e saj, tregonin për disa pagesa monetare që lidheshin direkt me deputeten e PS, ish-ministren e Mbrojtjes Olta Xhaçka dhe bashkëshortin e saj Artan Gaçi.

Këto materiale kanë sjellë nisjen e një hetimi të ri për korrupsion dhe pastrim parash, ndaj deputetes Olta Xhaçka, Artan Gaçi si dhe personave të tjerë, përfshirë dhe Ardi Hysa ish-këshilltar i Olta Xhaçkës në periudhën kur ajo drejtonte Ministrinë e Mbrojtjes.

Lidhur me këtë çështje SPAK, ka marë dhe dëshminë e Adela Kondakçi e cila ka qënë nën hetim për dosjen Veliaj, duke treguar detaje për shënimet e mbajtura prej saj të pagesave në lekë, për llogari të çiftit.

Duke u mbështetur në këto prova, 1 muaj më parë SPAK ftoi në prokurorinë e posaçme SPAK çiftin e bashkëshortëve Artan Gaçi dhe Olta Xhaçka, të cilëve u është komunikuar akuza e “Korrupsionit pasiv” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale”.

Në këtë histori del edhe emri i Ardit Hysës. Dyshohet se ai mund të ketë shërbyer si ndërmjetës për interesa të lidhura me çiftin Xhaçka-Gaçi, përfshirë veprime financiare në Vjenë. Dyshimi lidhet me rolin e tij të dikurshëm pranë ministres dhe me pistën austriake të hetimit.

Transaksionet e dyshuara në Austri, kapin qindra mijëra euro dhe i përkasin periudhës kur Xhaçka drejtonte Ministrinë e Mbrojtjes. Bëhet fjalë për një skemë korrupsioni në tenderat me procedurë sekrete për blerje armatimi dhe municioni nga ana e Ministrisë së Mbrojtjes.

Sipas burimeve pranë SPAK, rasti lidhet me disa transaksione në qindra mijëra euro, që janë kryer në një bankë në Austri. Transaksionet bankare janë të një periudhe kohore, kur Olta Xhaçka drejtonte Ministrinë e Mbrojtjes.

Kjo ministri ka kryer procedura tenderimi për blerjen e armëve dhe municioneve te një subjekt privat. Burimet pranë SPAK sqaruan se pjesa takuese e eurove për ministren Xhaçka është kaluar në një bankë në Austri, ku eurot më pas janë tërhequr nga një ish-këshilltar i saj dhe bashkëshorti Artan Gaçi.

SPAK pretendon se ka arritur të sigurojë prova në telefonin e Artan Gaçit dhe Adela Kondakçi dhe se në disa raste, përmes këtij telefoni, ka biseduar me persona të tretë dhe vetë ministrja e atëhershme e Mbrojtjes, Olta Xhaçka.

Bisedat janë të një natyre të tërheqjes së shumave financiare nga një bankë në Austri. Për të verifikuar këto biseda, prokurorisë së posaçme SPAK i është dashur të dërgojë letërporosi në Austri, me qëllim marrjen e të gjithë praktikës dokumentare në bankën austriake dhe një sërë provash të tjera.

Pas mbërritjes së përgjigjes nga Austria, prokurorët e SPAK kuptuan se transaksionet lidheshin direkt për përfitim financiar me çiftin bashkëshortor, Olta Xhaçka dhe Artan Gaçi.

Kujtojmë se para 1 viti, ndaj Artan Gaçit nisi një hetim nga prokurori Olsi Dado, i cili u vu në lëvizje pas një kallëzimi të bërë nga Fredi Beleri, lidhur me tjetërsimin e pronave në zonën e bregdetit të Jugut.

Por ky hetim më pas u pushua nga Prokuroria e Posaçme dhe më pas u la në fuqi dhe nga gjykatat e vendit. Ndërkohë, tashmë një dosje e re ka zbuluar prova të reja, ndaj dhe prokurori Olsi Dado ka regjistruar dosjen për akuzën e “Pastrimit të produkteve të veprës penale” dhe “Korrupsionit pasiv të funksionarëve publikë”.

Never miss any important news. Subscribe to our newsletter.

Lajme të Ngjashme

Never miss any important news. Subscribe to our newsletter.

Lajmet e Fundit

Editor's Pick