Protestat\Rama: Një qeveri s’e dorëzon kurrë timonin te zhurma

Facebook
WhatsApp

Kryeministri ka reaguar ndaj protestave që prej javësh po zhvillohen në vend, duke refuzuar thirrjet për dorëheqje dhe duke argumentuar se qeverisja nuk mund të drejtohet nga presioni i turmave apo dinamika e rrjeteve sociale. Në një fjalim para Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, ai komentoi gjithashtu rolin e influencerëve, algoritmeve dhe debatit publik në epokën dixhitale.

Kreu i qeverisë Edi Rama mbajti një qëndrim sfidues përballë protestave që prej rreth 20 ditësh kanë kërkuar largimin e tij nga detyra, duke deklaruar se një qeveri nuk mund të heqë dorë nga mandati i saj për shkak të presionit të protestave apo zhurmës publike.

Gjatë mbledhjes së Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Rama iu përgjigj drejtpërdrejt thirrjeve për dorëheqje, duke përdorur një krahasim me figurën e Odiseut në veprën e Homerit. Sipas tij, një udhëheqje duhet të mbetet e fokusuar te destinacioni dhe objektivat e saj, pavarësisht tundimeve apo presioneve të momentit.

“Më kanë shkruar shumë njerëz sikur kam dhënë përshtypjen se do të jap dorëheqjen”, tha Rama, duke shtuar se “një qeveri nuk e dorëzon kurrë timonin te zhurma” dhe se “një udhëheqje nuk i jepet zhurmës”.

Në fjalën e tij, kreu i qeverisë komentoi edhe protestat e zhvilluara së fundmi, të cilat sipas tij janë shndërruar në pjesë të një debati më të gjerë global që shpesh ndikohet nga rrjetet sociale dhe dinamika të komunikimit online. Ai argumentoi se ngjarje lokale mund të marrin përmasa ndërkombëtare përmes shpërndarjes masive të përmbajtjeve në internet, duke krijuar sipas tij perceptime që nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht realitetin.

Rama foli për atë që e cilësoi si “ekonomi të vëmendjes”, ku individë dhe grupe të ndryshme përfshihen në debatet publike për shkak të ndikimit që këto ngjarje kanë në rrjetet sociale. Në këtë kontekst, ai kritikoi disa influencerë, duke deklaruar se pjesëmarrja e tyre në protesta lidhet më shumë me trendet dhe nevojën për të tërhequr vëmendje sesa me angazhimin politik.

Sipas kryeministrit, në epokën digjitale shpërblehen përmbajtjet dramatike dhe emocionale, ndërsa qëndrimet e moderuara dhe argumentet racionale kanë më pak ndikim. Ai tha se algoritmet e platformave sociale favorizojnë përmbajtjet që gjenerojnë reagime të forta, duke nxitur polarizimin e debatit publik.

“Algoritmi nuk shpërblen qetësinë, e varros. Nuk shpërblen nuancat. Nuk e do arsyen”, deklaroi Rama, duke argumentuar se sot vëmendja publike fitohet më lehtë përmes mesazheve provokuese sesa përmes diskutimeve të balancuara.

Kryeministri e përshkroi situatën e krijuar rreth protestave si pjesë të një fenomeni më të gjerë që, sipas tij, po transformon mënyrën se si funksionon politika dhe komunikimi publik. Ai tha se qeveritë përballen gjithnjë e më shumë me sfidën e menaxhimit të perceptimeve të krijuara në rrjetet sociale, ku informacioni dhe dezinformimi shpesh qarkullojnë me të njëjtën shpejtësi.

Në të njëjtën kohë, Rama hodhi akuza ndaj asaj që e quajti një bashkim aktorësh të ndryshëm politikë, mediatikë dhe digjitalë kundër qeverisë së tij. Ai përdori një gjuhë të ashpër ndaj kundërshtarëve dhe kritikëve, duke i përshkruar ata si pjesë të një fushate të organizuar kundër mazhorancës socialiste.

Gjatë fjalës së tij, kryeministri komentoi edhe largimin nga Partia Socialiste të deputetes Marjana Koçeku, e cila ka njoftuar se do të vazhdojë mandatin si deputete e pavarur. Pa e përmendur drejtpërdrejt me emër në një pjesë të deklaratës, Rama tha se ka persona që “e kalëruan këtë parti sa mundën dhe kur ranë nga kali filluan t’i gjuajnë me këpucët e blera majë kalit”.

Deklaratat e kryeministrit vijnë në një moment kur protestat kundër qeverisë vazhdojnë të mbajnë në qendër të debatit publik kërkesat për përgjegjësi politike dhe ndryshime në drejtimin e vendit. Nga ana tjetër, mazhoranca socialiste ka sinjalizuar se nuk ka ndërmend të ndryshojë kursin e saj politik përballë presionit të protestave, duke këmbëngulur se mandati i saj duhet të çojë përpara programin qeverisës të votuar nga qytetarët.

Never miss any important news. Subscribe to our newsletter.

Lajme të Ngjashme

Never miss any important news. Subscribe to our newsletter.

Lajmet e Fundit

Editor's Pick