Sipas autoriteteve franceze, temperaturat në zonë kanë arritur deri në 39 gradë Celsius, ndërsa prokuroria e Carpentras ka bërë të ditur se ekspozimi ndaj nxehtësisë është pista kryesore e hetimit.
Dy fëmijë, të moshës 2 dhe 4 vjeç, janë gjetur të pajetë brenda një makine në jug të Francës, në një ngjarje tragjike që dyshohet të ketë lidhje me valën ekstreme të të nxehtit që ka përfshirë vendin.
Rrethanat e ngjarjes mbeten ende të paqarta. Media franceze “La Provence” raportoi se fëmijët kishin hyrë në automjet pa dijeninë e nënës së tyre 33-vjeçare dhe mbetën të bllokuar brenda.
Nga ana tjetër, një burim policor i cituar nga “Le Parisien” deklaroi se nëna ka pretenduar se i kishte harruar fëmijët në makinë gjatë kohës që po bënte pazar. Zjarrfikësit i gjetën të miturit në arrest kardiorespirator brenda një garazhi, por përpjekjet për t’i rikthyer në jetë rezultuan të pasuksesshme. Autoritetet kanë nisur hetimet për të sqaruar plotësisht shkaqet dhe rrethanat e tragjedisë.
Të paktën 18 persona kanë humbur jetën nga vapa gjatë fundjavës në Francë, njoftoi zëdhënësi i Sigurisë Civile, Jérome Boulanger. Vendi po përballet me një valë të fortë të nxehti që ka goditur vendin prej gati një jave. Dyzet e nëntë departamente dhe rreth 35 milionë banorë u vendosën sot në nivelin më të lartë të alarmit për vapë ekstreme nga shërbimi meteorologjik francez.
Për shkak të temperaturave të larta, shumë qytetarë po kërkojnë mënyra për t’u freskuar, por autoritetet po paralajmërojnë për rreziqet e larjes në vende të pambikëqyrura. Zëdhënësi i Sigurisë Civile u bëri thirrje qytetarëve të zgjedhin vetëm zona të monitoruara nga rojet e shpëtimit.
Ai theksoi gjithashtu se për t’u freskuar nuk është e domosdoshme të shkohet në liqene apo lumenj, duke rekomanduar dushin si alternativën më të sigurt. Për familjet me pishina private, ai kujtoi se fëmijët duhet të mbikëqyren vazhdimisht nga një i rritur i dedikuar vetëm për këtë detyrë.









