Studentët kanë shfaqur simptoma si të vjella, diarre, temperaturë dhe dhimbje koke dhe janë transportuar në grupe drejt spitalit, ku kanë marrë ndihmën e nevojshme mjekësore.
Skandalet në Akademinë e Sigurisë me sa duket nuk kanë fund, pasi rreth 30 kursantë të Akademisë së Sigurisë në Sauk kanë shfaqur probleme shëndetësore pas konsumimit të ushqimit.
Dyshimet e para për helmimin e kursantëve lidhet me ushqimin e furnizuar nga kompania e kateringut Sori Al që shërben pranë institucionit. Ky është rasti i dytë që ndodh brenda pak muajsh në Akademinë e Sigurisë.
Herën e parë kur ndodhi ky skandal u helmuan rreth 52 studentë që kishin konsumuar ushqimin e ardhur nga kateringu i ‘SORI-AL’. Nga mostrat e marra për analizë, rezultoi se makaronat ishin të kontaminuara me bakteret Escherichia coli dhe stafilokok.
Më pas, AKU fillimisht bllokoi aktivitetin e kësaj kompanie si dhe i gjobiti me 1.5 milionë lekë për ushqim të pasigurt dhe kushte të papërshtatshme higjeno-sanitare.
Ndërsa disa ditë më vonë zhbllokoi aktivitetin e kompanisë pasi analizat e mostrave për higjenën ambientale dhe të pajisjeve të punës brenda ambienteve të kuzhinës së Akademisë së Sigurisë, rezultuan brenda normave të lejuara për treguesit e higjenës.
Pas përsëritjes së këtij skandali, Policia e Shtetit dhe Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e ngjarjes dhe për të identifikuar përgjegjësit.









