Protesta e 28\Eurodeputetja Ilaria Salis: Ju po shkruani historinë!

Facebook
WhatsApp

Protestës kombëtare para Kryeministrisë iu bashkua eurodeputetja italiane Ilaria Salis, e cila shprehu mbështetjen për qytetarët shqiptarë dhe e cilësoi lëvizjen si një shembull të demokracisë qytetare. Ajo theksoi se mbrojtja e natyrës, e të drejtave dhe e së ardhmes së vendit është një kauzë që i tejkalon kufijtë e Shqipërisë.

Protesta e 28-të kombëtare u zhvillua pasditen e së shtunës para godinës së Kryeministrisë në Tiranë, duke mbledhur qindra qytetarë që vijojnë të kërkojnë largimin e kryeministrit Edi Rama dhe ndryshimin e sistemit politik në vend. Një nga momentet më të rëndësishme të tubimit ishte pjesëmarrja e eurodeputetes italiane Ilaria Salis, e cila iu bashkua protestuesve dhe mbajti një fjalim mbështetës.

Duke folur para qytetarëve, Salis e cilësoi protestën si një shprehje të demokracisë dhe pjesëmarrjes qytetare. Sipas saj, “Evropa më e mirë nuk shihet në Bruksel, por këtu në Tiranë”, ku njerëzit po mbrojnë me praninë dhe zërin e tyre të drejtën për të vendosur vetë për të ardhmen.

“Për mua është një nder i madh të jem sot këtu me ju. Në zemër të Revolucionit të Flamingove shohim Evropën më të mirë. Këtu njerëzit po mbrojnë inteligjencën, nevojat, ëndrrat dhe të drejtën themelore për të vendosur vetë për të ardhmen e tyre”, deklaroi eurodeputetja.

Ajo u ndal edhe te projektet që prekin ishullin e Sazanit dhe lagunën e Nartës, duke theksuar se këto pasuri natyrore duhet të mbeten të mbrojtura dhe në shërbim të publikut.

“Shqipëria, toka e saj, bukuria dhe trashëgimia kulturore nuk janë mall për t’u shitur. Ishulli i Sazanit dhe laguna e Nartës duhet të mbeten zona të mbrojtura për të gjithë dhe për brezat që do të vijnë. Ato nuk duhet të kthehen në një park argëtimi për të pasurit”, u shpreh ajo.

Në përfundim të fjalës së saj, Salis tha se ajo që po ndodh në Tiranë ka rëndësi jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për Evropën.

“Ju po shkruani histori dhe po tregoni një rrugë që mund të ndiqet edhe nga popuj të tjerë. Shqipëria nuk është në shitje. Evropa nuk është në shitje. Bota nuk është në shitje. Të drejtat e njerëzve dhe të natyrës duhet të vijnë gjithmonë përpara parasë dhe interesave të të pushtetshmëve”, deklaroi ajo.

Protesta ka hyrë tashmë në javën e katërt dhe organizatorët theksojnë se, pavarësisht presioneve dhe sulmeve të denoncuara gjatë kësaj periudhe, pjesëmarrja qytetare mbetet e lartë. Sipas tyre, lëvizja nuk synon vetëm ndryshimin e qeverisë, por edhe reformimin e të gjithë klasës politike.

Gjatë tubimit pati edhe thirrje të drejtpërdrejta ndaj Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK). Një nga qytetarët që mori fjalën kërkoi hetimin e drejtuesve kryesorë të politikës shqiptare, duke deklaruar se vetëm vendosja e tyre përballë drejtësisë mund t’i hapë rrugë ndryshimit.

“Sot SPAK ka mundësinë të bëhet hero për fëmijët tanë. Hetoni Edi Ramën, hetoni ministrat dhe çojini ata në burg. Një arrestim i Ramës do t’i hapte rrugë Shqipërisë së re. Patjetër edhe arrestimi i Berishës”, u shpreh ai.

Deklarata u prit me duartrokitje nga protestuesit, të cilët vijuan të brohorisnin sloganet “Rama në burg” dhe “Berisha në burg”, që janë bërë pjesë e përhershme e tubimeve të përditshme para Kryeministrisë.

Protesta u shoqërua edhe me elemente satirike. Organizatorët publikuan një video të montuar ku njoftohej në mënyrë ironike dorëheqja e “ministres digjitale” Diella. Në videon satirike, ajo deklaronte se largohej nga detyra pasi “dështoi me sukses”, ndërsa në fund i drejtohej kryeministrit Edi Rama me mesazhin: “Tani e ke ti radhën.”

Prej 28 ditësh qytetarët mblidhen çdo mbrëmje para Kryeministrisë, duke kërkuar largimin e qeverisë, ndryshimin e sistemit politik dhe hetimin e zyrtarëve që, sipas tyre, mbajnë përgjegjësi për gjendjen në vend. Organizatorët kanë bërë të ditur se protestat do të vijojnë edhe në ditët në vazhdim, duke këmbëngulur se kërkesat e tyre mbeten të pandryshuara.

Never miss any important news. Subscribe to our newsletter.

Lajme të Ngjashme

Never miss any important news. Subscribe to our newsletter.

Lajmet e Fundit

Editor's Pick