Rama me bizneset: Do keni mbështetje në procesin e hyrjes në BE

Facebook
WhatsApp

Gjatë fjalës së tij në takim me komunitetin e bizneseve, Rama ka theksuar se sipërmarrjet duhet të përshtaten me sfidat e reja dhe të investojnë në transformimin e tyre.

Kryeministri Edi Rama deklaroi se qeveria do të vijojë të mbështesë bizneset shqiptare gjatë procesit të integrimit të vendit në Bashkimin Europian. Gjatë fjalës së tij në takim me komunitetin e bizneseve, Rama ka theksuar se sipërmarrjet duhet të përshtaten me sfidat e reja dhe të investojnë në transformimin e tyre.

Rama theksoi se qeveria do të angazhojë ekspertë të specializuar për të asistuar sipërmarrjet shqiptare, me qëllim përgatitjen e tyre për standardet dhe kërkesat që sjell anëtarësimi në BE. Sipas Ramës, kompanitë që kanë zgjedhur të investojnë në zhvillim dhe inovacion kanë arritur tashmë të operojnë në një nivel tjetër, duke dëshmuar se transformimi është rruga e vetme për të qenë konkurrues.

“Është një sipërmarrje që është pjesë e të gjithë sistemit të dikurshëm të sipërmarrjeve fason. Ne kemi mundur të vërejmë dy zgjedhje, dy tendenca. Njëra është zgjedhja e inercisë dhe tendenca e të kërkuarit , garanci të të nesërmes tek lehtësimet, shiringat e qeverisë dhe deri tek kërkesa për të mbështetur, financiarisht këto sipërmarrje që të përballojnë kursin e euros.

Kjo është një zgjedhje e lirë, por që shkon në të kundërt me procesin e pakthyeshëm dhe të pandalshëm të transformimit. Zgjedhja tjetër është zgjedhja që ka bërë zonja dhe disa kompani të tjera ku tendenca ka qenë si të dalim përtej kufijve që na imponon, situata ku jemi dhe si të transformojmë dhe të adaptohemi. Dhe sot janë në një nivel tjetër. E ardhmja nuk ndalet ajo vjen dhe e shkuara nuk kthehet ajo ka ikur.

Dhe këtu jemi për të ardhmen që nuk ndalet. Këtë program do ta mbështesim, dhe do angazhohen në funksion të programit ekspertë të mirë informuar për të asistuar sipërmarrjen shqiptare. Nga nja anë na duhet të rrisim mbështetjen për sipërmarrjen. Ne duam që sipërmarrja e vogël dhe e mesme të ketë shansin që nëse ka kurajën , idenë e qartë dhe vullnetin për të ecur përpara të ketë mbështetjen tonë”- tha Rama.

Ai deklaroi se qeveria ka dyfishuar fondin e financimit për programin Start Up Albania, pas rritjes së numrit të aplikimeve, duke theksuar se këtë vit janë regjistruar mbi 1200 aplikime. Sipas Ramës, objektivi është që çdo sipërmarrës i vogël apo i mesëm që ka një projekt të mirë, të ketë mundësi të mbështetet përmes linjës së kredisë së Bankës së Shqipërisë dhe marrëveshjeve me bankat e nivelit të dytë.

Ai shtoi se qeveria do të ofrojë edhe asistencë për përgatitjen e planeve të biznesit, në mënyrë që sipërmarrësit ta kenë më të lehtë aksesin në financim.

“Çdo sipërmarrës i vogël apo i mesëm që ka gjithçka, veç financimit, do të ketë financim me mbështetjen e qeverisë shqiptare, falë linjës së kredisë së Bankës së Shqipërisë dhe marrëveshjes me bankat e nivelit të dytë. Ne nuk do të ndalemi te një kuotë financimi si ajo që kemi parashikuar, sepse nëse do të ketë nevojë për më shumë, do të vëmë në dispozicion më shumë.

Nuk do të ketë asnjë sipërmarrje që nuk do të mbështetet financiarisht, por për të lehtësuar këtë proces do të shërbejë edhe asistenca për përgatitjen e planeve të biznesit. Kemi dyfishuar financimin për të rinjtë që kanë aplikuar në Start Up Albania. Këtë vit kaluan mbi 1200 aplikime dhe ne e dyfishuam financimin. U kemi thënë të rinjve që do ta rrisim financimin në mënyrë proporcionale me rritjen e aplikimeve.

Çfarë synojmë ne me këtë program? Duam të informojmë 48 mijë ndërmarrje në të gjithë vendin. Duam të ngremë bashkërisht një platformë të mbështetjes së biznesit. Duam të organizojmë një cikël prej qindra trajnimesh, të rrisim kualifikimin dhe konkurrueshmërinë.

Kemi nevojë për dije. Ky proces ka nevojë për informim, për të kuptuar çfarë vjen me përfshirjen në tregun e madh europian. Shqipëria bëhet sa BE-ja dhe BE-ja bëhet sa Shqipëria, në sensin që nuk je më një sipërmarrës brenda kufijve të Shqipërisë, por je brenda BE-së”- theksoi kryeministri.

Never miss any important news. Subscribe to our newsletter.

Lajme të Ngjashme

Never miss any important news. Subscribe to our newsletter.

Lajmet e Fundit

Editor's Pick