Kryedemokrati tha se shumë shpejt do nisë mbledhja e firmave. Po ashtu, PD nuk përjashton mundësinë e kundërshtimit në Gjykatën Kushtetuese të Reformës Territoriale, e cila parashikon shkrirjen e 15 bashkive.
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha reagoi sot për reformën territoriale që u votua në orët e para të mëngjesit të sotëm në Kuvend.
Berisha deklaroi se demokratët po përgatiten për të zhvilluar një referendum mbi hartën e re territoriale, e cila sipas tij u votua nga deputetët e mazhorancës nën ndikimin e korrupsionit dhe interesave personale.
“Ne kemi nisur mbledhjen e firmave për referendum. Do të studiojmë modalitetet e referendumeve lokale dhe kombëtare, për të mbrojtur interesat e qytetarëve shqiptarë nga një bandë, organizatë kriminale që quhet parlament.
Mbrëmë pas mesnate, në një akt flagrant antikombëtar, antiqytetar, krimi, pengmarrja dhe ryshfeti, mandatet e krimit u hodhën si shigjeta kundër qytetarëve të 15 bashkive të vendit, për asgjësimin e tyre. Deputetët e partisë së krimit në unison, shkelmuan interesat e zgjedhësve të tyre.
Të marrë peng me korrupsionin e tyre, me vjedhjet dhe plaçkën që kanë siguruar me mandatin e tyre, ata votuan në një krim kolektiv për asgjesimin e 15 bashkive. Reforma territoriale është pa dyshim, në raport me qytetarin dhe komunitetet, reforma më e rëndësishme sepse kjo reformë ka të bëjë me vetë qeverisjen e komuniteteve”-, tha ai ndër të tjera.
Po adhtu, PD nuk përjashton mundësinë e kundërshtimit në Gjykatën Kushtetuese të Reformës Territoriale, e cila parashikon shkrirjen e 15 bashkive. “Nuk përjashtojmë asnjë nga mundësitë ligjore. Ne bëmë avokatinë e qytetarëve të këtyre 15 bashkive në një debat ndër më të gjatët dhe më intensivët në historinë e parlamentit, 14 orë. Paraqitëm çdo argument dhe asnjë interes partiak, të gjitha në interes të qytetarëve, por u shumëzuan me zero për interesa elektorale të Padrinos dhe partisë së tij. Kështu që, ne çdo hapësirë ligjore për të mbrojtur të drejtat e komuniteteve, do e shfrytëzojmë,” tha Berisha.









