Rama ka kritikuar mënyrën se si inspektorët dhe punonjësit e Policisë së Shtetit kanë vendosur gjoba ndaj qytetarëve, duke paralajmëruar se tashmë çdo punonjës do të identifikohet për vendimin që merr.
Çdo kundërvajtje do të ketë një numër identifikimi dhe një bazë ligjore, duke mundësuar gjurmimin e çdo gjobe që vendosin institucionet shtetërore.
Kryeministri Edi Rama prezantoi ditën e sotme Sistemin Unik të Gjobave, përmes të cilit institucionet shtetërore do të vendosin gjobat në mënyrë elektronike, ndërsa qytetarët do të marrin njoftimet përmes platformës e-Albania.
Sipas Ramës, sistemi i ri i jep fund praktikës së vendosjes së gjobave në letër dhe mundëson grumbullimin e tyre në një bazë të vetme të dhënash.
“Besoj që është një tjetër stacion i rëndësishëm në rrugën e transformimit dhe modernizimit të administratës dhe marrëdhënieve të shtetit shqiptar me qytetarin. Mbyllet një traditë e gjatë e gjobave të vendosura mbi copa letre, të shkruara edhe në mënyrë të palexueshme.
Tani të gjitha institucionet mund të hyjnë në një epokë të re të vendosjes së gjobës nëpërmjet mjeteve të teknologjisë digjitale, gjë që sjell njoftimin e menjëhershëm të qytetarit përmes platformës e-Albania. Të gjitha gjobat mblidhen në një bazë të dhënash dhe çdo qytetari i jepet mundësia të kontrollojë te mesazhet e tij gjobat që ka”, tha Rama.
Rama ka kritikuar mënyrën se si inspektorët dhe punonjësit e Policisë së Shtetit kanë vendosur gjoba ndaj qytetarëve, duke paralajmëruar se tashmë çdo punonjës do të identifikohet për vendimin që merr.
Ai foli për mungesën e gjurmueshmërisë së procesit të gjobitjes, duke theksuar se drejtuesit e institucioneve do të kenë mundësi të kontrollojnë veprimet e vartësve të tyre në kohë reale.
Rama paralajmëroi gjithashtu pajisjen e policëve dhe inspektorëve të terrenit me kamera trupi, të cilat do të qëndrojnë aktive gjatë ushtrimit të detyrës.
Përmes këtij sistemi, sipas kryeministrit, institucionet do të kontrollojnë jo vetëm aktivitetin e inspektorëve në terren, por edhe sjelljen e efektivëve të policisë ndaj qytetarëve.
“E rëndësishme të nënvizohet është se nuk ka më një proces gjobitje pagjurmueshmëri. Një rrjedhë e njëjtë, bazë ligjore e qartë për të gjithë dhe identifikohen të gjithë punonjësit që vendosin gjobat, që jep mundësi për drejtuesit e institucioneve të shohin si në hartë të gjithë proceset dhe sjelljen e burimeve të tyre njerëzore.
Hapi tjetër është krijimi i regjistrit kombëtar të gjobave që praktikisht përmbyll një proces jo të lehtë sepse ka qenë një punë e gjatë për të ardhur deri këtu, dua të shtoj që shpejt nis projekti që kemi bërë publik për pajisjen e të gjithë punonjëseve të policisë dhe inspektorëve të terrenit me kamera trupi që do të jetë gjithë kohës aktive dhe do të jenë pjesë e sistemit të AI qenkemi ndërtuar në qendrën e monitorimit.
Me kode të përcaktuara ndiqet aktiviteti i inspektorëve në terren dhe sjellja e efektivëve me qytetarët. Vlerësohen në kohë reale situatat kur është nevoja për ndihmë dhe mbështetje. Gjëja më e rëndësishme është se kjo ngre në një nivel tjetër marrëdhënien e shtetit me qytetarin”, tha ai.









