Lubonja komentoi edhe qëndrimet e Elisa Spiropalit duke vlerësuar se reagim i saj ka ardhur me vonesë. Ai përdori një gjuhë ironike, duke e cilësuar si “një fije kashte” dhe duke vënë në pikëpyetje peshën e saj reale në zhvillimet brenda mazhorancës.
Analisti Fatos Lubonja, i ftuar në emisionin “Minuta e Parë” në News24, ka komentuar zhvillimet e fundit në Partinë Socialiste, përplasjet brenda mazhorancës, raportet e kryeministrit Edi Rama me ndërkombëtarët dhe rolin e SPAK-ut në luftën kundër korrupsionit.
Duke u ndalur te situata politike dhe lëvizjet e figurave të Partisë Socialiste, Lubonja u shpreh se Rama ka pësuar një goditje morale dhe politike, ndërsa ngriti edhe një deklaratë të fortë lidhur me mundësinë e eliminimit fizik.
“Rama heqjen qafe morale dhe politike e ka bërë me shumë. A mund ta heqin qafe edhe fizikisht Veliajn? Ai edhe mund ta bëjë”, deklaroi analisti.
Lubonja komentoi edhe qëndrimet e Elisa Spiropalit dhe Erion Veliajt, duke vlerësuar se reagimet e tyre kanë ardhur me vonesë. Për Spiropalin, ai përdori një gjuhë ironike, duke e cilësuar si “një fije kashte” dhe duke vënë në pikëpyetje peshën e saj reale në zhvillimet brenda mazhorancës.
Një tjetër çështje ku u ndal analisti ishte qëndrimi i ambasadës amerikane ndaj zhvillimeve politike në Shqipëri. Sipas tij, është vënë re një mungesë protagonizmi nga përfaqësuesit amerikanë, ndërsa këtë e lidhi edhe me ndryshimin e administratës në SHBA dhe humbjen e një pjese të ndikimit lobues të Edi Ramës.
“Edi Rama me humbjen e demokratëve ka humbur një lloj pushteti lobimi. Tani këtë krah Rama nuk e ka. Nuk ka arritur të marrë një ftesë nga ambasada apo amerikanët, por kjo nuk do të thotë se e ka kundër”, u shpreh Lubonja.
Ai ngriti pikëpyetje edhe mbi rolin e SPAK-ut dhe pavarësinë e prokurorëve, duke kritikuar atë që e konsideron mungesë reagimi ndaj problematikave që lidhen me institucionet shtetërore. Sipas tij, drejtësia nuk duhet të mbështetet te prania apo qëndrimi i ndërkombëtarëve, por duhet të dëshmojë pavarësinë e saj.
“Prokurorët po e shohim se si po sillen. Ata po tregojnë se po punojnë për shtetin e kapur. Këta prokurorë as nuk po ikin bashkë me atë”, deklaroi analisti, duke iu referuar edhe çështjes së Erion Veliajt.
Lubonja u ndal gjithashtu te mënyra e funksionimit të partive politike në Shqipëri, duke theksuar se mungesa e demokracisë së brendshme është një nga problemet kryesore të sistemit politik. Sipas tij, lidhjet me ndërkombëtarët nuk mjaftojnë për të fituar pushtet, pasi rëndësi të veçantë ka edhe mbështetja në terren.
Duke komentuar sjelljen e Veliajt pas arrestimit, ai u shpreh i habitur nga qëndrimi i tij, duke theksuar se kryebashkiaku i Tiranës është bërë më protagonist pikërisht në një moment kur ndodhet në një situatë të vështirë.
Në përfundim, analisti kritikoi modelin e drejtimit të Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike, duke i cilësuar ato si struktura ku mungon demokracia e brendshme dhe vendimmarrja përqendrohet te liderët.
“Kanë këta këllqe ta bëjnë demokratike partinë? Absolutisht që jo. Këta janë fiks me modelin që ndiqte Enver Hoxha, si Edi Rama, ashtu edhe Sali Berisha”, përfundoi Lubonja.









