Ndërsa protestat në Bulevardin kryesor të Tiranës kanë hyrë në muajin e tyre të dytë, një prej zërave më të njohur të jetës publike dhe akademike në Shqipëri, Auron Tare ka bërë thirrje për reflektim kombëtar, duke e parë lëvizjen aktuale përmes historisë.
Studiuesi i njohur, Tare tërheq një paralelizëm mes zhvillimeve të sotme politike dhe asaj që ai e quan “tragjedia e gjatë” e shqiptarëve: gatishmëria për të luftuar nën flamujt e të tjerëve, por jo për veten.
Në një shkrim të publikuar në Facebook dhe titulluar “Beteja e Athinës”, Tare argumenton se historia e shqiptarëve është e mbushur me raste ku individë kanë projektuar fuqi dhe kanë ndërtuar perandori jashtë kufijve, duke mbetur “spektatorë” në shtëpinë e tyre.
“Shqiptari ka pasur një fat të çuditshëm. Ka ngritur perandori, ka mbajtur në këmbë mbretëri, ka udhëhequr kryengritje e revolucione, por kur vjen puna te vendi i vet, mbetet gjithnjë spektator”, shkruan Tare.
Sipas historianit, ky fenomen e ka lënë Shqipërinë shpesh në mëshirë të rrethanave, duke e kthyer kombin në një “nxënës të dobët” kur vjen puna te shkrimi i fatit të vet sovran.
Për të ilustruar këtë tezë, Tare sjell në vëmendje një episod pak të diskutuar nga korriku i vitit 1822 gjatë Luftës për Pavarësinë Greke.
Në fushat e Athinës, dy ushtri ballafaqoheshin me njëra-tjetrën, por në krye të të dyja kampeve qëndronin dy figura me origjinë shqiptare: Kapedan Jani Gura, prijës i forcave kryengritëse që luftonin për kauzën greke dhe Omer Pashë Vrioni, gjeneral i shquar shqiptar në shërbim të Perandorisë Osmane, i dërguar për të shtypur kryengritjen.
“Në fushat e Athinës së lashtë nuk u ndeshën vetëm dy ushtri. U ndeshën dy shqiptarë, secili nën një flamur që nuk ishte i tiji,” shpjegon Tare, duke shtuar se historia e përvehtësoi kontributin e tyre, duke e shpallur njërin hero të Greqisë dhe tjetrin pjesë të historisë osmane, ndërsa Shqipëria nuk përfitoi asgjë.
Tare shpreh një optimizëm se qëndresa aktuale e qytetarëve në Tiranë mund të shënojë një thyerje të këtij “mallkimi” historik.
Ai e mbyll reflektimin e tij me shpresën se kjo periudhë e gjatë protestash do të jetë pikënisja e një vetëdijeje të re shoqërore, “ku shqiptari të mësojë më në fund të luftojë edhe për veten,” dhe të mos lejojë që historia e tij të vazhdojë të shkruhet nga të tjerët.
Shkrimi i Auron Tare:
“Beteja e Athines”
Teksa protesta e Bulevardit po hyn në muajin e dytë, ia vlen të ndalemi një çast në një faqe historie, nga ato që shqiptarët i shkruajnë me gjakun e tyre, por që zakonisht i lexojnë të tjerët.
Shqiptari ka pasur një fat të çuditshëm. Ka ngritur perandori, ka mbajtur në këmbë mbretëri, ka udhëhequr kryengritje e revolucione, por kur vjen puna te vendi i vet, mbetet gjithnjë spektator. Është mjeshtër për të bërë historinë e kombeve të tjera dhe nxënës i dobët kur duhet të shkruajë historinë e Shqipërisë. Ndoshta, e them me shpresë, kjo protestë do të sjellë një Shqipëri tjetër, ku shqiptari të mësojë më në fund të luftojë edhe për veten.
Më korrik te 1822 , në fushat e Athines, aty ku dikur athinasit e lashtë ndalën hovin e Persisë së pamposhtur, u përplasën dy ushtri. Por, nëse do të hiqnim flamujt dhe uniformat, do të shihnim një pamje të çuditshme, në të dy anët qëndronin shqiptarë.
Në njërën anë ishte Kapedan Jani Gura, bir i një familjeje shqiptare të vendosur në Thesali, prijësi i forcave që historia do t’i quante greke.
Më anën tjetër qëndronte Omer Pashë Vrioni, pinjoll i derës së madhe të Vrionasve, gjeneral shqiptar në shërbim të Ali Pasha tepelenes, Khediveve te Egjyptit dhe Perandorisë Osmane, i dërguar për të shuar kryengritjen greke.
Në fushat e Athines se lashtë nuk u ndeshën vetëm dy ushtri. U ndeshën dy shqiptarë, secili nën një flamur që nuk ishte i tiji. Njëri luftonte për Stambollin, tjetri për Athinën. Shqipëria nuk gjendej në asnjërin kamp.
Kjo është tragjedia jonë e gjatë. Historia ua ruajti emrat të dyve, por ua ndërroi edhe atdheun. Njërin e shpalli hero të Greqisë, tjetrin e la në faqet e historisë osmane. Shqipëria nuk i mori dot asnjërin.
Ky është, ndoshta, mallkimi ynë më i madh. Shqiptari ka ditur të fitojë beteja për të gjithë, veçse nuk ka ditur t’i fitojë ato për veten.
Dhe kur një komb i fal bijtë e tij historisë së të tjerëve, nuk duhet të habitet që, një ditë, historia e vet i mbetet e shkruar nga te tjere.
Ashtu si perhere.









