Rilindja Urbane 2.0, 1.5 miliardë investime të tjera për qytetet

Facebook
WhatsApp

Kryeministri Edi Rama prezantoi programin kombëtar “Rilindja Urbane 2.0”, që parashikon investime prej 1.5 miliardë eurosh për zhvillimin e qyteteve, infrastrukturës dhe shërbimeve publike. Gjatë fjalës së tij, ai kritikoi edhe opozitën, duke paralajmëruar se “zgjidhjet magjike” dhe narrativat kundër integrimit europian mund të rrezikojnë progresin e vendit.

Kryeministri Edi Rama prezantoi programin e ri kombëtar “Rilindja Urbane 2.0”, një paketë investimesh me vlerë 1.5 miliardë euro që synon transformimin e mëtejshëm të qyteteve shqiptare, përmirësimin e hapësirave publike, infrastrukturës dhe cilësisë së jetës së qytetarëve.

Sipas Ramës, programi shënon një fazë të re të zhvillimit urban dhe vjen si përgjigje ndaj pritshmërive në rritje të qytetarëve për standarde më të larta jetese.

Kreu i qeverisë u shpreh se Shqipëria nuk mund të konsiderohet më një shoqëri e varfër, edhe pse varfëria vazhdon të jetë një sfidë. Ai argumentoi se zhvillimi ekonomik dhe social ka rritur kërkesat e qytetarëve për më shumë cilësi në infrastrukturë dhe shërbime.

“Po vendosim në dispozicion të këtij programi një objektiv prej 1.5 miliardë eurosh. Rilindja Urbane 2.0 nuk është thjesht vazhdim i programit të parë, por një etapë e re që lind nga nevoja për të përmbushur standarde më të larta. Sa më shumë përmirësohen kushtet, aq më të dukshme bëhen mungesat dhe aq më të larta janë pritshmëritë e qytetarëve”, tha Rama.

Sipas tij, suksesi i deritanishëm nuk i ul pritshmëritë, por i rrit ato, ndaj qeveria synon të kalojë nga ndërhyrjet bazë drejt krijimit të qyteteve me cilësi më të lartë jetese, komunitete më funksionale dhe hapësira publike më të integruara.

Rama e lidhi programin edhe me procesin e integrimit europian, duke theksuar se standardet që kërkon Bashkimi Europian përputhen me pritshmëritë e qytetarëve shqiptarë për një jetë më cilësore.

“Rilindja 2.0 është të ndërtojmë cilësi jete dhe bashkëjetese. Është të ndërtojmë më tej komunitetin, jo vetëm qytetin, të krijojmë ndërlidhje, mobilitet të brendshëm dhe mirëqenie, jo thjesht infrastrukturë”, deklaroi ai.

Gjatë fjalës së tij, kryeministri pati edhe një mesazh kritik ndaj opozitës dhe narrativave që, sipas tij, nxisin mosbesim ndaj procesit të integrimit europian. Rama tha se nuk duhet të fitojnë terren “zgjidhjet magjike”, pasi kjo do të rrezikonte arritjet e deritanishme dhe do ta kthente vendin pas.

“Detyra jonë është të mos lejojmë që marrëzia e zgjidhjeve magjike të fitojë terren, sepse gjithçka kemi ndërtuar mund të shkojë dëm. Nuk duhet të banalizohet procesi i integrimit dhe as të krijohen narrativa që kanalizojnë energji negative ndaj tij”, u shpreh ai.

Në të njëjtin aktivitet, Ministri i Pushtetit Vendor, Ervin Demo, prezantoi projektet konkrete që do të financohen në kuadër të “Rilindjes Urbane 2.0”. Sipas tij, programi do të mbështesë bashkitë me investime në parkime publike, menaxhimin e mbetjeve, transportin urban dhe zhvillimin e trashëgimisë kulturore.

Demo bëri të ditur se aktualisht në vend funksionojnë 83 muze, ndërsa paketa e re parashikon realizimin e 22 projekteve konkrete dhe krijimin e rreth 70 muzeve bashkiakë të fokusuar te historia, traditat dhe identiteti lokal.

Një nga investimet më të rëndësishme, sipas ministrit, do të jetë zgjidhja e problematikës së parkimeve, për të cilën janë planifikuar rreth 120 milionë euro.

“Po punojmë për të zgjidhur çështjen e parkimit dhe për të krijuar qytete që ofrojnë dimensione të reja zhvillimi. Këto investime do të kenë ndikim të drejtpërdrejtë edhe në peizazhin urban dhe do të mbështesin sipërmarrjen, veçanërisht të të rinjve”, tha Demo.

Një tjetër prioritet i paketës është mbrojtja e mjedisit. Sipas ministrit, deri në vitin 2030 janë planifikuar investime prej 150 milionë eurosh për sektorin e menaxhimit të mbetjeve, me synimin që i gjithë territori i vendit të mbulohet me shërbime të standardizuara.

Autoritetet e konsiderojnë “Rilindjen Urbane 2.0” si një nga programet më të mëdha të investimeve publike për vitet në vijim, me fokus jo vetëm transformimin fizik të qyteteve, por edhe përmirësimin e cilësisë së jetës, shërbimeve dhe zhvillimit të qëndrueshëm në nivel vendor.

Never miss any important news. Subscribe to our newsletter.

Lajme të Ngjashme

Never miss any important news. Subscribe to our newsletter.

Lajmet e Fundit

Editor's Pick