Kryeministrja dështon me amendamentin për ligjin zgjedhor. Kundër nismës së partisë së Melonit, Fratelli d’Italia (Vëllezërit esë), votuan 188 deputetë, ndërsa 187 ishin pro.
Në Dhomën e Deputetëve (Camera dei Deputati) në Romë, kryeministrja italiane Giorgia Meloni pësoi një disfatë të ngushtë në votimin për një amendament të reformës zgjedhore. Kundër propozimit të partisë së saj në pushtet, Fratelli d’Italia (Vëllezërit e Italisë), votuan 188 deputetë, ndërsa 187 votuan pro.
Meloni prej kohësh ka mbështetur një reformë të thellë të sistemit zgjedhor. Ajo synon që në të ardhmen kryeministri të zgjidhet drejtpërdrejt nga qytetarët dhe që partia që fiton më shumë vota të përfitojë një bonus mandatesh, me argumentin se Italia ka nevojë për më shumë stabilitet politik.
Megjithatë, amendamenti i votuar këtë herë kishte të bënte vetëm me një aspekt të veçantë: mundësinë që zgjedhësit, përmes votës preferenciale, të rendisnin më lart kandidatët individualë në listën e partisë së tyre. Pikërisht për këtë pikë, Meloni u mund në një votim të fshehtë.
Pas kësaj disfate, opozita ka kërkuar dorëheqjen e kryeministres dhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme.
“Përsëri fitoi moçali”
Disfata është veçanërisht e ndjeshme për Melonin, pasi partnerët e saj të koalicionit, Forza Italia dhe Lega, kishin premtuar mbështetje për amendamentin. Në letër, koalicioni qeverisës gëzon një shumicë të rehatshme në parlament.
Kjo do të thotë se kundër amendamentit kanë votuar edhe deputetë nga vetë shumica qeverisëse. Meloni reagoi me fjalët: “E provuam. Përsëri fitoi moçali.”
Pavarësisht humbjes, pritet që ajo të vazhdojë përpjekjet për realizimin e reformës. Edhe nga partneri i koalicionit, Forza Italia, kanë ardhur sinjale mbështetjeje. “Është vendimtare ta çojmë përpara këtë ligj, i cili garanton stabilitetin”, deklaroi kreu i grupit parlamentar të Forza Italia, Enrico Costa, për gazetën Corriere della Sera.
Në të njëjtën kohë, kjo disfatë mund të ketë pasoja më të gjera politike. Sipas shumë analistëve, Italia mund të shkojë në zgjedhje vitin e ardhshëm. Megjithatë, sondazhet vazhdojnë ta nxjerrin Melonin dhe partinë e saj në vendin e parë, me një epërsi të qartë ndaj forcave të tjera politike.
Referendumi i humbur në pranverë
Meloni qeveris Italinë që nga vjeshta e vitit 2022, në krye të një koalicioni të përbërë nga tri parti të djathta dhe konservatore. Nëse qeveria e saj mbijeton edhe pas pushimeve verore, në fillim të shtatorit ajo do të bëhet kryeministrja me mandatin më të gjatë të pandërprerë në Italinë e pasluftës.
Megjithatë, humbja në parlament përbën goditjen e dytë politike për Melonin brenda pak muajsh. Në pranverë ajo dështoi edhe në përpjekjen për të miratuar një reformë kushtetuese, pasi votuesit italianë e hodhën poshtë atë në referendum.









