Kryeministri pritet të shpallë paketën më të madhe të ndryshimeve që nga ardhja në pushtet. Burime brenda mazhorancës flasin për një kabinet pothuajse të ri, spastrim të drejtuesve të institucioneve dhe një Kongres të Jashtëzakonshëm që do të riformatojë Partinë Socialiste.
Kryeministri Edi Rama pritet të komunikojë lëvizje në ekipin e tij ministror gjatë mbledhjes së Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, e parashikuar të zhvillohet ditën e nesërme.
Sipas informacioneve paraprake, vendimi lidhet me pakënaqësi të shprehura nga kreu i qeverisë për performancën e disa drejtuesve të institucioneve dhe dikastereve kryesore.
Deri tani, në mënyrë jozyrtare, qarkullon emri i Anila Denaj si kandidat për postin e zv/kryeministrit, ndërsa për pjesën tjetër të kabinetit mungon pothuajse çdo informacion.
Gjasat janë që Rama të mos synojë një riekuilibrim të lobeve brenda Partisë Socialiste, por të sjellë në qeveri figura që vijnë nga shoqëria civile, bota akademike, sektori privat ose diaspora. Në këtë mënyrë ai do të përpiqet ta paraqesë kabinetin si një ekip me profil teknik dhe profesional, ndërsa boshti politik i qeverisë do të mbetet i pandryshuar.
Po ashtu, pritet krijimi i një ose dy portofoleve të reja, të orientuara drejt marrëdhënieve me qytetarët dhe komunitetet, ndërsa pjesa tjetër e kabinetit do të mbështetet mbi strukturën tradicionale të qeverisjes.
Megjithatë, ndryshimet më të thella nuk pritet të ndalen te ministrat. Tërmeti i vërtetë pritet të godasë nivelin e dytë të pushtetit ekzekutiv, drejtuesit e kompanive publike dhe institucioneve me peshë ekonomike, të cilët administrojnë buxhete të mëdha dhe mijëra punonjës.
Nga Tatimet deri te institucionet e kulturës flitet për një rinovim pothuajse të plotë. Në të njëjtën kohë, qarkullojnë sinjale se do të ndërhyhet edhe në institucionet që administrojnë kontratat publike, lejet e ndërtimit dhe zhvillimin urban.
Paralelisht me këto lëvizje, Rama pritet të thërrasë një Kongres të Jashtëzakonshëm të Partisë Socialiste. Kongresi do të zgjedhë Asamblenë dhe Kryesinë e re, ndërsa në strukturat drejtuese pritet të promovohen shumë nga deputetët e rinj që, sipas perceptimit brenda partisë, i qëndruan pranë kryeministrit gjatë dy muajve të fundit të tensioneve politike.
Ndërkohë, sesioni parlamentar nuk do të mbyllet me seancën e sotme plenare, pasi punimet e Kuvendit janë shtyrë zyrtarisht deri më 31 korrik.
Kjo shtyrje krijon mundësinë procedurale që ministrat e rinj, nëse do të propozohen, të marrin dekretimin nga Presidenti Bajram Begaj dhe më pas të kalojnë për votim në Kuvend përpara fillimit të pushimeve të gushtit.









