Ndërkaq policia ka finalizuar brenda 24 orëve dy operacione të koduara “Siguria” dhe “Transportuesit”, duke goditur raste të armëmbajtjes pa leje dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike në jug të vendit.
61 automjete luksoze, 82 persona me precedentë kriminalë, 6 shtetas të shoqëruar, 11 automjete me xhama të errësuar dhe 5 mjete të bllokuara për verifikime. Ky është bilanci i operacionit të zhvilluar nga Policia e Tiranës në akset kryesore rrugore dhe zona të ndryshme të kryeqytetit.
Sipas policisë, kontrollet u zhvilluan nga Forca e Posaçme Operacionale, Forca e Posaçme “Shqiponja” dhe Policia Rrugore, në kuadër të masave për rritjen e sigurisë dhe goditjen e paligjshmërisë.
Gjatë operacionit, 11 automjeteve luksoze iu hoqën xhamat e errësuar të vendosur në kundërshtim me Kodin Rrugor. Në total, u konstatuan dhe u hoqën 61 xhama të errësuar, përfshirë edhe xhamat e përparmë të disa mjeteve.
Policia shoqëroi gjithashtu pesë automjete për verifikime të mëtejshme në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë. Njëri prej tyre rezultoi të ishte mjet i blinduar.
Gjatë kontrolleve u shoqëruan gjashtë shtetas, pasi iu gjetën doza të lëndëve narkotike, shkopinj bejsbolli dhe shkopinj metalikë. Një tjetër drejtues automjeti u procedua pasi u konstatua duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur.
Policia bën me dije se kontrollet do të vijojnë edhe në ditët në vijim në rrugët e Tiranës, me fokus rritjen e sigurisë, parandalimin e veprimtarive kriminale dhe zbatimin e rregullave të qarkullimit rrugor.
Ndërkaq policia ka finalizuar brenda 24 orëve dy operacione të koduara “Siguria” dhe “Transportuesit”, duke goditur raste të armëmbajtjes pa leje dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike në jug të vendit.
Si rezultat i operacioneve, janë arrestuar 4 persona, ndërsa janë sekuestruar një armë zjarri pistoletë me fishekë, rreth 5 kilogramë lëndë e dyshuar narkotike cannabis sativa, një sasi kokaine dhe dy automjete.
Në Vlorë, në kuadër të operacionit “Siguria”, u arrestua në flagrancë një 30-vjeçar me inicialet E. O. Ai u kap në parkingun e një lokali në zonën e Lungomares, ku gjatë kontrollit në çantën e tij u gjetën një pistoletë me 6 fishekë, si dhe sasi kokaine dhe kanabisi.
Ndërkohë, në Sarandë u finalizua operacioni “Transportuesit”, pas një hetimi trejavor me metoda speciale. Në pranga ranë tre persona: A. N., 31 vjeç, K. J., 26 vjeç dhe A. C., 30 vjeç.
Tre të arrestuarit u kapën në rrugën “Nivicë–Sarandë”, pranë urës së Kakomesë, ndërsa lëviznin me dy automjete. Gjatë kontrollit në njërin prej mjeteve u gjetën dhe u sekuestruan 5 kilogramë kanabis, që dyshohet se do të shpërndahej në zonën e Sarandës dhe Ksamilit.
Sipas policisë, njëri prej të arrestuarve dyshohet se lëvizte me automjetin tjetër për të monitoruar itinerarin dhe për të sinjalizuar praninë e forcave të rendit.
Hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë.









