Ndërkohë, lidhur me hetimet për ngjarjen, mësohet se Prokuroria e Durrësit nuk ka kërkuar në gjykatë caktimin e masës së sigurisë për 38-vjeçarin Admir N., pronarin e magazinës, duke e lënë atë të lirë. Policia e kishte arrestuar një ditë pas zjarrit, pasi nga hetimet paraprake rezultoi se ai dyshohet se e shkaktoi zjarrin nga pakujdesia, gjatë djegies së disa kartonëve dhe barishteve jashtë magazinës.
Pas thirrjeve të përsëritura të banorëve, këtë të hënë ka nisur ndërhyrja me mjete të rënda në zonën ku u dogj magazina në Shkozet të Durrësit. Një ekskavator ka filluar largimin e mbetjeve të krijuara nga zjarri, me qëllim eliminimin e vatrave të fshehura që vijojnë të çlirojnë tym.
Megjithëse flakët që përfshinë të enjten e kaluar magazinën me materiale plastike, goma dhe lëndë piroteknike u shuan pas një operacioni të gjatë të zjarrfikësve, nën mbetjet e djegura kanë vijuar të riaktivizohen vatra zjarri, duke shkaktuar ndotje të ajrit dhe shqetësim për banorët e zonës.
Një prej tyre i bëri thirrje institucioneve të ndërhyjnë sa më shpejt për pastrimin e territorit.
“I bëj thirrje Bashkisë dhe institucioneve të Durrësit të vijnë t’i pastrojnë këto mbetje. Zjarrfikësit kanë katër ditë këtu, por flaka nuk shuhet. Smogu dhe ajri i ndotur po na mbytin. Kemi larguar fëmijët nga shtëpia. Sot zjarrfikësit e fikën zjarrin, por pak më vonë doli sërish gaz dhe tym. Nuk durohet kjo blozë. Mjafton të fryjë pak erë dhe nuk rrihet më”, u shpreh banori për TCH.
Ndërkohë, lidhur me hetimet për ngjarjen, mësohet se Prokuroria e Durrësit nuk ka kërkuar në gjykatë caktimin e masës së sigurisë për 38-vjeçarin Admir N., pronarin e magazinës, duke e lënë atë të lirë.
Policia e kishte arrestuar një ditë pas zjarrit, pasi nga hetimet paraprake rezultoi se ai dyshohet se e shkaktoi zjarrin nga pakujdesia, gjatë djegies së disa kartonëve dhe barishteve jashtë magazinës. Flakët më pas dolën jashtë kontrollit, përfshinë objektin dhe dëmtuan edhe linjën elektrike 110 kilovolt.









