Mjetet me destinacion aeroportin dhe Kosovën do të vijojnë lëvizjen në autostradën Kashar–Thumanë, ndërsa automjetet që kanë si destinacion Tiranën do të orientohen përmes sinjalistikës së përkohshme në rrugën dytësore. Më pas, ato do të rikthehen në autostradën Durrës–Tiranë pas mbikalimit të Kasharit.
Autoriteti Rrugor Shqiptar ka njoftuar se do të ketë kufizime të përkohshme në qarkullimin rrugor në aksin Tiranë–Durrës, në kuadër të punimeve për zgjerimin e superstradës.
Sipas ARRSH-së, më datat 6 dhe 7 gusht 2026, nga ora 00:00 deri në 04:30 të mëngjesit, do të kryhet montimi i trarëve metalikë të mbikalimit të ri të Kasharit. Për realizimin e punimeve dhe garantimin e sigurisë rrugore, do të bllokohen përkohësisht dy korsitë e aksit kryesor në drejtimin Durrës–Tiranë.
Gjatë këtij intervali kohor, automjetet që udhëtojnë nga Durrësi drejt Tiranës, Aeroportit Ndërkombëtar “Nënë Tereza” dhe Kosovës do të devijohen përmes rampave të autostradës Thumanë–Kashar.
Mjetet me destinacion aeroportin dhe Kosovën do të vijojnë lëvizjen në autostradën Kashar–Thumanë, ndërsa automjetet që kanë si destinacion Tiranën do të orientohen përmes sinjalistikës së përkohshme në rrugën dytësore. Më pas, ato do të rikthehen në autostradën Durrës–Tiranë pas mbikalimit të Kasharit.
ARRSH u ka bërë apel drejtuesve të mjeteve të tregojnë kujdes dhe të respektojnë sinjalistikën e vendosur gjatë orarit të punimeve. Autoriteti ka kërkuar mirëkuptimin e qytetarëve, bizneseve dhe banorëve të zonës për ndërhyrjen e përkohshme, e cila bëhet me qëllim përparimin e punimeve në një prej akseve më të rëndësishme të vendit.









