Sipas qeverisë, brenda një afati 90-ditor do të zhvillohen dëgjesa me grupet protestuese, do të bëhen publike dokumente të projektit dhe do të kryhet një vlerësim paraprak, përpara marrjes së një vendimi për të ardhmen e tij.
Kryeministri Edi Rama ka reaguar në rrjetet sociale lidhur me nismën e re të prezantuar prej tij, të cilën e ka quajtur “BESA”, duke e cilësuar si një angazhim të ri ndaj qytetarëve dhe një mënyrë të re veprimi për mandatin e katërt qeverisës.
Sipas Ramës, “BESA” mbështetet mbi katër shtylla kryesore: B për besim, E për empati, S për shërbim dhe A për angazhim. Kryeministri e ka prezantuar këtë dokument si një marrëveshje të re qeverisëse dhe politike, që synon të përcaktojë mënyrën e funksionimit të qeverisë dhe të Partisë Socialiste në vitet e ardhshme.
Rama tha se kjo nismë është edhe një reflektim ndaj kërkesave të qytetarëve, duke e paraqitur si kundërpërgjigje ndaj protestave të zhvilluara gjatë muajve të fundit, të cilat janë artikuluar edhe përmes lëvizjes së quajtur “Revolucioni Flamingo”.
Testi i parë i kësaj nisme pritet të jetë projekti i Zvërnecit, i cili u kthye në pikënisjen e protestave që kanë vijuar për më shumë se dy muaj.
Sipas qeverisë, brenda një afati 90-ditor do të zhvillohen dëgjesa me grupet protestuese, do të bëhen publike dokumente të projektit dhe do të kryhet një vlerësim paraprak, përpara marrjes së një vendimi për të ardhmen e tij.
Nisma “BESA” vjen në një moment kur qeveria përballet me kërkesa të shtuara për konsultim publik dhe më shumë transparencë në vendimmarrjet që prekin komunitetet lokale.









