Dita 69/ Qytetarët para Kryeministrisë: Shqipëria kërkon revolucion!

Facebook
WhatsApp

Për të 69-ën ditë radhazi, qytetarët janë mbledhur në Tiranë për të kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Protestuesit shprehen se nuk do të tërhiqen deri në plotësimin e kërkesave të tyre, ndërsa tubimi është shoqëruar me fjalime dhe thirrje kundër qeverisë.

Qytetarë të shumtë janë mbledhur mbrëmjen e sotme para godinës së Kryeministrisë, duke vijuar protestën e tyre të përditshme kundër qeverisë. Tubimi nisi në sheshin “Skënderbej”, ndërsa më pas protestuesit marshuan drejt selisë së qeverisë, ku mbajtën edhe fjalimet e tyre.

Ashtu si në mbrëmjet e mëparshme, pjesëmarrësit mbanin në duar pankarta dhe flamuj kombëtarë, ndërsa përsëritën thirrjet e tyre për largimin e kryeministrit Edi Rama dhe zhvillimin e ndryshimeve politike në vend.

Një nga aktivistët që mori fjalën deklaroi se protesta ka arritur të ruajë ritmin dhe vendosmërinë e ditëve të para, pavarësisht kohëzgjatjes së saj. Sipas tij, qytetarët nuk do të largohen nga sheshi pa u përmbushur kërkesa kryesore, që është dorëheqja e kryeministrit.

“Sot jemi më shumë se dje dhe më të vendosur për të vazhduar rezistencën tonë. Për 69 ditë me radhë kemi arritur të përmbysim propagandën e pushtetit dhe ta detyrojmë qeverinë të reagojë ndaj zërit të qytetarëve”, u shpreh ai.

Gjatë tubimit, aktivisti Edison Lika deklaroi se protesta nuk do të ndalet me afrimin e muajit shtator dhe se qeveria, sipas tij, ka nisur “numërimin mbrapsht”. Ai u bëri thirrje qytetarëve të vazhdojnë rezistencën, duke theksuar se energjia e protestës mbetet e pandryshuar.

Një tjetër protestues u shpreh se lëvizja qytetare synon të sjellë një model të ri përfaqësimi politik dhe të kërkojë llogari për çështje që, sipas tij, kanë mbetur pa përgjigje. Ai deklaroi se protestuesit janë të vendosur që të mos kthehen më te modeli i vjetër politik.

Përgjatë tubimit, protestuesit brohoritën slogane të tilla si “Rama, jep dorëheqjen”, “Shqipëria kërkon revolucion”, “Pa rini nuk ka Shqipëri” dhe “Ju erdhi fundi”.

Protesta, e cila nisi fillimisht si një reagim ndaj zhvillimeve në Zvërnec, është shndërruar tashmë në një lëvizje më të gjerë, me kërkesa që përfshijnë dorëheqjen e kryeministrit, krijimin e një qeverie teknike dhe ndërmarrjen e ndryshimeve kushtetuese.

Never miss any important news. Subscribe to our newsletter.

Lajme të Ngjashme

Never miss any important news. Subscribe to our newsletter.

Lajmet e Fundit

Editor's Pick