Kreu i qeverisë e ka cilësuar reagimin e asaj që ai e quan “ushtria e trollave të turbofolkut nacionalist të Prishtinës” si një lloj “laboratori” për të matur saktësinë e qëndrimeve të tij. Ai thotë se kritikat ndaj tij, përfshirë akuzat për “tradhti” pas deklaratës se Serbia e ka humbur Kosovën, i konfirmojnë sipas tij qëndrimet që ka mbajtur si kryeministër.
Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas kritikave ndaj deklaratës së tij se “Serbia e humbi Kosovën”, duke sulmuar ashpër kundërshtarët e tij në rrjetet sociale në Prishtinë.
Në një reagim të publikuar në platformën X, Rama i cilëson kritikët si “ushtrinë e trollave të turbofolkut nacionalist të Prishtinës” dhe thotë se sulmet ndaj tij janë një tregues se qëndrimet e tij për Serbinë dhe Kosovën janë të sakta.
“Unë e kam një laborator ekselent për të matur saktësinë e qëndrimeve të mia kur flas apo postoj lidhur me Serbinë: Ushtrinë e trollave të turbofolkut nacionalist të Prishtinës”, shkruan Rama.
Sipas kryeministrit, sa herë që ndaj tij ka reagime negative në rrjetet sociale, ai e konsideron këtë si konfirmim të qëndrimeve të tij.
“Sa herë që ajo ushtri lëshohet nëpër kanalet sociale për të shfryrë urrejtjen e verbër ndaj meje, unë e quaj të kryer me sukses detyrën time si kryeministër i këtij vendi qoftë ndaj Shqipërisë, qoftë ndaj Kosovës dhe qoftë ndaj paqes e bashkëpunimit rajonal”, vijon ai.
Rama i referohet edhe reagimeve të një dite më parë, pas deklaratës së tij për humbjen e Kosovës nga Serbia.
“Edhe dje laboratori ka funksionuar perfekt, me trollat që u lëshuan për të më rikonfirmuar si tradhëtar pse thashë Serbia e humbi Kosovën”, shkruan kryeministri, duke e lidhur deklaratën me ndërhyrjen e tij në debatin mes autoriteteve shqiptare dhe serbe për “paprekshmërinë e lumit Ibër”, shkruan Rama.
Rama thotë se qëndrimi i tij ishte më i gjerë dhe se kritikat nga Prishtina, sipas tij, u përqendruan vetëm te një fjali.
“Pra qëndrimi im ka qenë preciz përderisa në krejt atë ndërhyrje shteruese që u përshëndet edhe nga vetë deputetja britanike Alicia Kerns, një flamurtare e flaktë e Kosovës në Mbretërinë e Bashkuar baza e turbofolkut nacionalist në Prishtinë gjeti të kapet pas një fjalie të vetme”, shkruan ai.
Kryeministri pretendon se kjo është bërë për të mos lejuar që qëndrimi i tij kundër Serbisë të merrej në konsideratë në tërësi.
“Për të mos lejuar ai qëndrim i qartë kundër provokimit të Serbisë të ‘hutonte’ fansat e turbofolkut”, vijon Rama.
Në pjesën e fundit të reagimit, Rama përsërit qëndrimin e tij për Kosovën dhe e cilëson si fakt deklaratën se Serbia e ka humbur atë.
“Që Serbia e humbi Kosovën është thjesht një fakt”, shkruan kryeministri.
Rama shton se kjo deklaratë, sipas tij, është njëkohësisht e papranueshme për qarqet nacionaliste në Beograd dhe për kritikët nacionalistë në Prishtinë.









