Ministri i Brendshëm tha se rritja e numrit të turistëve sjell edhe më shumë përgjegjësi për Policinë e Shtetit. Lamallari nënvizoi gjithashtu rëndësinë e reagimit të shpejtë të policisë në çdo rast kur qytetarët apo turistët kërkojnë ndihmë.
Ministri i Brendshëm Besfort Lamallari, ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit Blendi Gonxhja dhe drejtori i Policisë së Shtetit Skënder Hita zhvilluan një vizitë në Sarandë, në kuadër të masave për mbarëvajtjen e sezonit turistik.
Në fokus të takimit ishte garantimi i sigurisë për qytetarët dhe turistët, ndërsa autoritetet theksuan nevojën për bashkëpunim mes institucioneve dhe zero tolerancë ndaj paligjshmërisë.
Ministri Gonxhja vlerësoi ecurinë e sezonit veror, duke theksuar se rritja e numrit të vizitorëve është shoqëruar edhe me tregues pozitivë sa i përket sigurisë dhe menaxhimit të sezonit.
“Jemi në kulmin e sezonit veror, një sezon që karakterizohet nga shifra shumë pozitive, jo vetëm sa i takon hyrjeve të vizitorëve të huaj, por në radhë të parë me shifra që lidhen me sigurinë dhe mirëmenaxhimin e sezonit”, deklaroi Gonxhja.
Nga ana tjetër, ministri Lamallari tha se rritja e numrit të turistëve sjell edhe më shumë përgjegjësi për Policinë e Shtetit.
“Ne kemi tre mesazhe kryesore si Ministri e Punëve të Brendshme. Së pari, siguria e jetës së qytetarëve dhe e turistëve. Sa më shumë ata vijnë e vizitojnë jo vetëm Sarandën, por gjithë bregdetin shqiptar, kjo nënkupton më shumë përgjegjësi për Policinë e Shtetit”, u shpreh Lamallari.
Flakët pushtojnë Priskën e Madhe/ Digjet një shtëpi, evakuohen familje dhe shkrumbohen sipërfaqe pyjesh dhe ullishtesh
Ai theksoi se institucionet nuk do të tolerojnë paligjshmërinë, duke përfshirë aktivitetet kriminale dhe shkeljet që lidhen me sigurinë rrugore.
“Do të lejojmë zero paligjshmëri, qoftë në kuptim të aktiviteteve kriminale, paligjshmërive të ndryshme, ato që kanë të bëjnë me sigurinë rrugore”, tha ministri.
Lamallari nënvizoi gjithashtu rëndësinë e reagimit të shpejtë të Policisë së Shtetit në çdo rast kur qytetarët apo turistët kërkojnë ndihmë.
Drejtori i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, tha se strukturat e rendit janë çdo ditë në terren për garantimin e sigurisë në Sarandë dhe zonat turistike.
“Saranda është një qytet që e do rendin dhe sigurinë. Në kuadër të këtyre veprimeve ne jemi çdo ditë në terren. Falënderoj punonjësit e policisë që punojnë me përkushtim dhe ndershmëri gjatë sezonit turistik”, deklaroi Hita.









