I riu është shpallur në kërkim, ndërsa policia vijon kontrollet për kapjen e tij dhe gjetjen e armës së përdorur.
Një konflikt familjar në fshatin Majtarë të Dibrës ka përfunduar me një person të arrestuar dhe një tjetër të shpallur në kërkim, pasi gjatë përplasjes dyshohet se është përdorur edhe armë zjarri.
Sipas Policisë, 34-vjeçari Demokrat Erebara dyshohet se ka dhunuar kunatën e tij, 40-vjeçaren F. E., gjatë një konflikti brenda familjes.
Situata më pas është përshkallëzuar, pasi djali 19-vjeçar i 40-vjeçares, F. E., dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri në ajër, me qëllim kanosjen e xhaxhait të tij.
I riu është shpallur në kërkim, ndërsa policia vijon kontrollet për kapjen e tij dhe gjetjen e armës së përdorur.
Në lidhje me ngjarjen janë proceduar në gjendje të lirë edhe tre persona të tjerë. Mes tyre janë 40-vjeçarja F. E. dhe 25-vjeçarja A. E., të cilat dyshohet se kanë ushtruar dhunë ndaj njëra-tjetrës gjatë konfliktit.
Ndërkohë, në hetim është përfshirë edhe E. E., 38 vjeç, i cili dyshohet se ka tentuar të fshehë prova në vendngjarje.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër për veprime të mëtejshme.









