Kryeministri kërkoi sot kriminalizimin e ndërhyrjeve të deputetëve për punësime në administratë. Një propozim që përbën njëkohësisht edhe pranimin se ndikimi politik dhe sistemi i njohjeve vazhdojnë të jenë një plagë e administratës shqiptare.
Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar një ndryshim të fortë ligjor që do të prekë drejtpërdrejt deputetët dhe ndërhyrjet e tyre për punësime në administratën publike. Gjatë fjalimit para grupit parlamentar socialist, Rama deklaroi se do të propozojë që çdo ndërhyrje e një deputeti për të futur dikë në punë të konsiderohet vepër penale.
Mesazhi ishte i drejtpërdrejtë dhe i adresuar pikërisht deputetëve të shumicës që kishte përballë. Rama tha se do t’u kërkojë atyre ta votojnë këtë ndryshim dhe paralajmëroi se do t’i shohë “në sy” në momentin kur ligji të shkojë për miratim.
Sipas kryeministrit, nuk duhet të tolerohen më as ndërhyrjet e zakonshme përmes mesazheve apo telefonatave, të tipit “fute këtë” apo “shikoje atë”. Çdo kërkesë e një përfaqësuesi politik për të favorizuar një person në procesin e punësimit në administratë, sipas tij, duhet të trajtohet si shkelje penale.
Rama e lidhi këtë propozim me një nga problemet që ai i cilësoi si “tre plagët” kryesore të marrëdhënies mes qytetarit dhe shtetit. Njëra prej tyre është bindja e përhapur se për të siguruar një vend pune apo një shërbim publik, njohja personale vlen më shumë se merita.
Sipas kryeministrit, kjo është një nga ndjenjat më të forta që ekziston sot në shoqërinë shqiptare: ideja se qytetari pa lidhje politike, familjare apo shoqërore ka më pak mundësi sesa dikush që njeh personat e duhur. Për Ramën, shteti duhet të ndërtojë një sistem ku meritokracia të mos mbetet thjesht një slogan.
“Një deputet që ndërhyn për punësimin e dikujt nuk është i denjë të përfaqësojë ata të tjerët që nuk kanë akses”, ishte një nga mesazhet më të forta të kryeministrit. Ai argumentoi se ndërhyrja politike krijon pabarazi mes qytetarëve dhe shndërron administratën në pronë të rrjeteve të ndikimit.
Rama tha se grada dhe karriera në administratën publike duhet të kthehen në pasuri profesionale të individit dhe jo në pronë të postit që ai mban apo të qeverisë që ndodhet përkohësisht në pushtet. Në këtë mënyrë, sipas tij, administrata duhet të shkëputet nga ciklet politike dhe ndryshimet e qeverive.
Propozimi lidhet me konceptin e “Shkallës së Meritës”, një nga projektet që Rama prezantoi si pjesë të sistemit të ri që synon të ndryshojë marrëdhënien mes qytetarit dhe shtetit. Qëllimi, sipas tij, është të krijohet një arkitekturë e qartë profesionale, ku punësimi dhe ngritja në detyrë të mos varen nga ndërhyrjet politike.
Megjithatë, deklarata e Ramës ngre edhe një pyetje më të gjerë politike. Kryeministri pranon publikisht se ndërhyrjet e deputetëve në administratë kanë qenë një fenomen mjaft serioz, saqë tani kërkon që ato të kriminalizohen me ligj.
Kjo është një pranim indirekt i një prej problemeve që ka shoqëruar prej vitesh administratën shqiptare: ndikimin e politikës në punësime. Nëse një ndërhyrje e tillë duhet të konsiderohet sot vepër penale, atëherë mbetet për t’u parë se si janë trajtuar deri më tani rastet kur punësimet janë bërë mbi bazën e njohjeve, rekomandimeve dhe lidhjeve politike.
Rama e ka vendosur kështu vetë grupin e tij parlamentar përballë një prove politike. Deputetëve socialistë u kërkohet të votojnë një ligj që kufizon drejtpërdrejt një nga format më të zakonshme të ndikimit që politika ka ushtruar tradicionalisht mbi administratën.
Nëse propozimi do të shndërrohet në nismë konkrete ligjore dhe do të miratohet, mbetet për t’u parë. Por deklarata e kryeministrit është një nga pranimet më të forta të bëra së fundmi nga vetë shumica qeverisëse për problemin e punësimeve përmes lidhjeve dhe ndikimit politik.









