Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka kërkuar krijimin e një fronti të përbashkët opozitar për t’i dhënë fund qeverisjes së Edi Ramës.
Gjatë fjalës së tij në Foltoren e Ripërtëritjes në Durrës, Berisha akuzoi qeverinë për largimin masiv të shqiptarëve, rritjen e çmimeve të banesave dhe lidhjet me krimin, ndërsa u bëri thirrje forcave politike opozitare të bashkohen kundër mazhorancës.
Ai u ndal edhe te procesi i ripërtëritjes së PD-së, duke theksuar nevojën për hapjen e partisë ndaj të rinjve dhe grave.
“Edhe njëherë të mos harrojmë, 2007-2014 në çdo vit numri i shqiptarëve në Shqipëri u rrit. Nga 2014-ta deri sot, Shqipëria është katandisur, sipas tyre, me 2.3 milionë. Edhe një krahasim. Ndërtohej gjatë asaj periudhe, ndërtohej shumë, jo pak. Po kush ndërtonte? Ndërtonin qytetarët shtëpitë e tyre.
Për të hapur rrugët e shpresës, për të hapur mundësinë që shqiptarët të votojnë të lirë, të zgjedhin më të mirët e më të mirëve që besojnë. Është një luftë për ekzistencën tonë si komb i lirë, si komb i qytetëruar. Ndaj edhe duhet të bashkohemi. Asnjëri të mos mendojë se duke qëndruar veçmas mund të rritet, mund të fitojë.
E provuan! U rrit vetëm Partia Demokratike gjatë këtyre gjashtë muajve. Pse? Se mbajti qëndrimet më të ndershme, sepse që në fillim deklaroi: Armiku i armikut tim është aleati im në luftë kundër të keqes. Një parim i përdorur nga romakët që nga lashtësia romake e gjer sot para rreziqeve ekzistencialë”- deklaroi Berisha.









