Bonino u përfshi drejtpërdrejt edhe në fushatën për legalizimin e abortit. Në një periudhë kur ndërprerja e shtatzënisë nuk ishte ende e ligjshme në Itali, ajo mori pjesë në aksionet e radikalëve që kërkonin ndryshimin e legjislacionit.
Politika italiane ka humbur një nga figurat që e shoqëruan për pesë dekada. Emma Bonino është ndarë nga jeta në moshën 78-vjeçare, pas një beteje të gjatë me kancerin.
Bonino e kishte bërë publike sëmundjen në vitin 2015, kur tregoi se një tumor kishte prekur mushkërinë e majtë. Sëmundja iu rikthye vite më vonë, por ajo vazhdoi aktivitetin politik deri në vitet e fundit.
Historia e saj politike nisi shumë përpara posteve qeveritare. Bonino hyri në betejat publike të Italisë së viteve 1970, kur çështje që sot mbrohen nga ligji, nga aborti te divorci, prodhonin përplasje të forta politike dhe shoqërore.
Në vitin 1976 ajo u zgjodh për herë të parë në Parlament me Partinë Radikale. Prej asaj kohe, emri i saj u lidh përfundimisht me Marco Pannella-n dhe me historinë e radikalëve italianë.
Pannella dhe Bonino ndërtuan një dyshe politike të pazakontë. Ai mbështetej te fjalimet e gjata dhe provokimi publik, ndërsa Bonino te komunikimi i drejtpërdrejtë dhe organizimi i fushatave. Grevat e urisë, referendumet dhe mosbindja civile u kthyen në instrumente të aktivitetit të tyre politik.
Bonino u përfshi drejtpërdrejt edhe në fushatën për legalizimin e abortit. Në një periudhë kur ndërprerja e shtatzënisë nuk ishte ende e ligjshme në Itali, ajo mori pjesë në aksionet e radikalëve që kërkonin ndryshimin e legjislacionit.
Një tjetër betejë që e vendosi përballë pjesës më të madhe të establishmentit italian ishte çështja e Enzo Tortorës. Prezantuesi i njohur televiziv u arrestua në vitin 1983 mbi bazën e akuzave që më pas u rrëzuan. Bonino dhe radikalët u rreshtuan në mbrojtje të tij dhe e kthyen rastin Tortora në një nga betejat e tyre kryesore për reformimin e drejtësisë.
Por Bonino nuk mbeti vetëm brenda kufijve të radikalizmit italian. Ajo u zgjodh dy herë në Parlamentin Europian, shërbeu si komisionere europiane, ministre në qeverinë e Romano Prodit, ministre e Jashtme në qeverinë e Enrico Lettas dhe mbajti postin e nënkryetares së Senatit.
Pikërisht kalimi drejt institucioneve krijoi edhe distancën politike me Marco Pannella-n. Për Bonino-n, hyrja në institucionet italiane dhe europiane ishte vazhdim i betejës politike me mjete të tjera. Pannella e pa këtë zgjedhje ndryshe dhe marrëdhënia mes dy figurave që kishin përcaktuar historinë e radikalëve u ftoh.
Në arenën ndërkombëtare, Bonino e lidhi emrin me fushatat kundër dënimit me vdekje dhe krimeve kundër njerëzimit, si dhe me çështjet e të drejtave të grave.
Ajo u angazhua në Ballkan, Afrikë, Lindjen e Mesme dhe Kurdistan, ndërsa një nga fushatat që ndoqi për vite ishte ajo kundër gjymtimit gjenital femëror.
Edhe si ministre e Jashtme, Bonino u përball me disa nga dosjet më të vështira të diplomacisë italiane të asaj periudhe, mes tyre krizat në Libi dhe Siri dhe përplasja me Indinë për çështjen e dy marinsave italianë.
Në politikën europiane, ajo mbeti një federaliste e deklaruar. Bonino kritikonte ndaljen e procesit të integrimit europian pas Traktatit të Maastricht-it dhe kërkonte forcimin politik të Bashkimit Europian.
Ky pozicionim nuk e bëri asnjëherë lehtësisht të klasifikueshme sipas ndarjes tradicionale mes së majtës dhe së djathtës.
E djathta e kundërshtonte për qëndrimet e saj mbi drogat e lehta, emigracionin, shtetësinë dhe të drejtat civile. Pjesë të së majtës e kritikonin për liberalizmin ekonomik dhe mbështetjen ndaj Izraelit.
Vetë Bonino e përkufizonte pozicionin e saj me formulën se ishte “e anshme, në anën e të drejtave” dhe të së drejtës ndërkombëtare.
Marrëdhënia e saj me Kishën Katolike përmbante po të njëjtën kontradiktë. Bonino dhe Papa Françesku kishin qëndrime të kundërta për abortin dhe eutanazinë, por gjetën pika takimi te emigrantët, të burgosurit dhe njerëzit pa përfaqësim.
Më 5 nëntor 2024, Papa Françesku e vizitoi Bonino-n në banesën e saj. Fotografia e tyre në karrige me rrota u kthye në një nga pamjet simbolike të viteve të fundit të jetës së saj.
Bonino provoi gjithashtu të thyente një tjetër barrierë të politikës italiane.
Në vitin 1999 ajo shpalli kandidaturën për Presidente të Republikës. Fushata përdori sloganin provokues “Më në fund, burri i duhur”, ndërsa emri i saj vazhdoi të përmendej edhe në zgjedhjet e mëvonshme presidenciale.
Ajo nuk arriti kurrë në Quirinale, por kandidatura e vitit 1999 e vendosi çështjen e një gruaje Presidente të Republikës në debatin kombëtar italian.
As sëmundja nuk e largoi nga politika
Bonino vazhdoi fushatat, mbledhjen e firmave dhe aktivitetin elektoral. Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2022 kandidoi me +Europa, por lista nuk arriti pragun kombëtar prej 3 për qind.
Pas rezultatit, ajo përdori një nga batutat që përmblidhte raportin e saj me popullaritetin personal dhe votën: “Votoni për mua më shumë dhe më doni më pak”.
Emma Bonino kishte lindur në Bra, në provincën e Cuneos, në një familje fermerësh. Nga ajo zonë e Piemonte-s mbërriti në Parlament në moshë të re dhe më pas në institucionet më të larta italiane dhe europiane.
Sandro Pertini e kishte quajtur “vajza e prapë e Montecitorios”, ndërsa Giulio Andreotti, gjatë përplasjeve parlamentare të vitit 1981, e përshkroi si “gjysmë Zhan D’Ark dhe gjysmë Vispa Teresa”.
Në vitin 2011, revista amerikane “Newsweek” e përfshiu Bonino-n, të vetmen italiane, në listën e 150 grave që po ndikonin botën.
Por trashëgimia e saj politike nuk përcaktohet nga një post i vetëm.
Nga Parlamenti italian te Komisioni Europian dhe Ministria e Jashtme, Bonino e ndërtoi karrierën mbi çështje që shpesh nisnin jashtë axhendës së partive të mëdha dhe përfundonin brenda institucioneve.
Aborti, divorci, kushtet në burgje, drejtësia, emigracioni, dënimi me vdekje, të drejtat e grave dhe integrimi europian përbënë boshtin e një aktiviteti politik që nisi në vitet 1970 dhe vazhdoi deri në fund të jetës së saj.
Me vdekjen e Emma Bonino-s mbyllet edhe kapitulli i një brezi radikalësh italianë të identifikuar me Marco Pannella-n, referendumet, mosbindjen civile dhe betejat për ndryshimin e ligjeve përmes mobilizimit publik.
Bonino ishte një nga protagonistet kryesore të atij kapitulli dhe një nga të paktat figura të tij që arriti të kalonte nga protesta radikale në drejtimin e institucioneve italiane dhe europiane pa hequr dorë nga temat mbi të cilat kishte nisur aktivitetin politik.









