Ndërkohë ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj, ka reaguar duke thënë se nuk e njeh zonjën Ismaili.
Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Eriona Ismaili ka folur për audiopërgjimet e publikuar nga ish-zv.kryeministri Arben Ahmetaj dhe akuzat e lëshuar nga ai për trafik armësh.
Gjatë fjalës së saj pas përfundimit të mbledhjes së qeverisë, tha se personi që ka nxjerrë këto përgjime, duhet të gjejë guximin dhe të përballet me drejtësinë.
“Më vjen ndot të jap përgjigje për deklarimet të të arratisurve nga drejtësia e Republikës së Shqipërisë. Është një kërkesë që dua t’ia bëj në mënyrë direkte personit që ka nxjerrë këto përgjime, sikurse ka guximin që të hedhë llum mbi projekte të qeverisë shqiptare, të gjejë guximin dhe të vijë të përballet me drejtësinë shqiptare. Më vjen keq të jap përgjigje të deklaratave të bëra publike nga njerëz që janë zhdukur në llumin e tyre”, deklaroi ajo.
Ndërkohë ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj, ka reaguar duke thënë se nuk e njeh zonjën Erjona Ismaili.
“Kush është kjo? Pse, ka një ministre me emër të tillë? Ekzistojnë të tillë? Sepse nuk e di në rast se ju e njihni si gazetar, po unë nuk e njoh”- u shpreh ai.
Ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj në një intervistë ekskluzive për “Syri TV” pak ditë më parë bëri një sërë deklaratash të forta, që u përkthyen në akuza të rënda ndaj zyrtarëve të lartë në Shqipëri.
Ahmetaj ka deklaruar se posedon një audiopërgjim të janarit 2026 që zgjat tri orë ku flitet për trafik armësh, duke përmendur emra konkretë të lidhur me kryeministrin Edi Rama.
“Bëhet fjalë për personazhin shumë të njohur në Shqipëri tashmë, Ron Yeffet. Është parë në Shqipëri në 2008 dhe ka një marrëdhënie të hershme me Ramën. Ka 3 pasaporta, shqiptare, amerikane, izraelite. Është personi që Rama i ka kërkuar t’i japë borxhin e Shqipërisë. Është i janarit 2026”, tha Ahmetaj.
Ahmetaj u shpreh se bëhet fjalë për trafik armësh nga vendet e Afrikës, që paketohen në Shqipëri, ku nuk hezitoi të përmendte edhe emrin e ministrit aktual të Mbrojtjes, Ermal Nufi.
“Audio-përgjimi do të ketë elementë të trafikut të armëve, nga Ermal Raketa (Nufi) Ermal raketa, u bë kryetar i bordit të Kayo-s dhe ministër i Mbrojtjes. Është pseudonimi që i bëjnë FA, kur kreu i organizatës i ka thënë: Ermal, ti po më zhgënjen. Ermali çohet në këmbë dhe i thotë: Unë për ty bëhem dhe raketë. Jemi duke folur për trafik armësh nga vendet e Afrikës, që paketohen në Shqipëri. Është trafik i pastër armësh. Nufi thotë se përdoren në zona konfliktesh aktuale”.









