Po sot kryeministri Kurti ka shpalosur para deputetëve të Kuvendit të Kosovës programin dhe zotimet kryesore për mandatin e ri qeverisës, duke deklaruar se fokusi do të jetë te rritja e mirëqenies së qytetarëve, zhvillimi ekonomik dhe forcimi i kapaciteteve mbrojtëse të vendit.
Në një seancë të jashtëzakonshme, Kuvendi i Kosovës i dha dritën jeshile Qeverisë së re të udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje, me 62 vota pro dhe 8 kundër.
Me 62 vota pro dhe 8 kundër, Kuvendi i Kosovës ka zgjedhur Qeverinë Kurti 4. Përbërja e kabinetit mbetet e pandryshuar, me të njëjtët ministra që ishin zgjedhur edhe më herët në postet përkatëse.
Votimi i ekzekutivit të ri u zhvillua në një seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit, ndërsa menjëherë pas marrjes së votëbesimit anëtarët e kabinetit qeveritar bënë betimin.
Seanca për Qeverinë pasoi zhvillimet e paradites së të dielës, kur kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, e shpalli të konstituuar Kuvendin pa nënkryetarin nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës.
Pas kësaj, Lëvizja Vetëvendosje dërgoi emrin e Albin Kurtit për mandatar të Qeverisë. Haxhiu e mandatoi atë për formimin e ekzekutivit, ndërsa më pas u thirr seanca e jashtëzakonshme.
Në seancën ku u votua Qeveria nuk ishin të pranishëm deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleancës. Në sallë ishin deputetët e Vetëvendosjes, Listës Serbe dhe disa përfaqësues të komuniteteve.
Përpara votimit, Kurti prezantoi para deputetëve përbërjen e kabinetit të ri, si dhe planet kryesore për katër vitet e ardhshme.
Me votimin e sotëm, Albin Kurti merr një mandat të ri në krye të ekzekutivit të Kosovës. Zgjedhja e Qeverisë së re vjen pas një periudhe të gjatë zhvillimesh politike dhe procedurash parlamentare për konstituimin e institucioneve të vendit.
Zgjidhet Qeveria Kurti 4, kabineti mbetet i pandryshuar
Kabineti i propozuar nga Kurti:
Zëvendëskryeministër i parë dhe ministër i Punëve të Jashtme dhe Diasporës- Glauk Konjufca,
Zëvendëskryeministre e dytë dhe ministre e Drejtësisë- Donika Gërvalla,
Zëvendëskryeministër i tretë për Çështje të Pakicave dhe Bashkëpunim, Fikrim Damka,
Ministër i Financave- Hekuran Murati,
Ministër për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare- Andin Hoti,
Ministër i Mbrojtjes- Ejup Maqedonci,
Ministër i Punëve të Brendshme- Xhelal Sveçla,
Ministër i Digjitalizimit dhe Administratës Publike- Lulzon Jagxhiu,
Ministër i Shëndetësisë- Arben Vitia,
Ministër i Arsimit dhe Shkencës- Hajrulla Çeku,
Ministër i Kulturës dhe Turizmit- Saranda Bogujevci,
Ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal- Elbert Krasniqi,
Ministër i Sportit dhe Rinisë- Blerim Gashani,
Ministre e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor- Fitore Pacolli,
Ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural- Armend Muja,
Ministër i Infrastrukturës dhe Transportit- Dimal Basha,
Ministre e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit- Mimoza Kusari,
Ministre e Ekonomisë- Artane Rizvanolli,
Ministër për Komunitete dhe Kthim- Nenad Rashiq,
Ministër për Zhvillim Rajonal- Rasim Demiri.
Po sot kryeministri Kurti ka shpalosur para deputetëve të Kuvendit të Kosovës programin dhe zotimet kryesore për mandatin e ri qeverisës, duke deklaruar se fokusi do të jetë te rritja e mirëqenies së qytetarëve, zhvillimi ekonomik dhe forcimi i kapaciteteve mbrojtëse të vendit.
Një prej zotimeve kryesore të prezantuara nga Kurti është që paga mesatare në sektorin publik të arrijë në mbi 1 mijë euro në muaj. Ai tha se do të vazhdojë edhe zbatimi i pagës së 13-të për sektorin publik, ndërsa paralajmëroi synimin që në të ardhmen të planifikohet edhe paga e 14-të. Sipas tij, do të punohet gjithashtu që paga e 13-të të shtrihet edhe në sektorin privat.
Dyfishim i shtesave për familjet me tre ose më shumë fëmijë
Në pjesën e politikave sociale, Kurti premtoi rritjen e shtesave për fëmijët. Për familjet me tre ose më shumë fëmijë, sipas zotimit të tij, shtesa do të dyfishohet nga 45 në 90 euro për secilin fëmijë.
Një masë tjetër e paralajmëruar lidhet me gjyshërit pensionistë që kujdesen për nipërit ose mbesat e moshës 13 deri në 36 muaj. Kurti tha se, në rastet kur të dy prindërit janë në punë, gjyshërit që kujdesen për fëmijët do të përfitojnë nga 100 euro shtesë në muaj.
Program prej 1 miliard eurosh për prodhimin dhe industrinë
Zhvillimi ekonomik dhe industrial është një tjetër shtyllë e programit të prezantuar para deputetëve. Kurti tha se synohet nisja e një transformimi të madh industrial përmes një programi prej 1 miliard eurosh për prodhimin dhe industrinë.
Sipas tij, Banka Zhvillimore do të ketë rol në financimin e projekteve strategjike, si dhe në mbështetjen e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, prodhuesve dhe eksportuesve.
Mbi 1 miliard euro për ushtrinë
Investimet në mbrojtje pritet të jenë një tjetër prioritet i mandatit. Kurti premtoi se gjatë katër viteve të ardhshme do të investohen mbi 1 miliard euro në ushtri. Ai paralajmëroi edhe zhvillimin e industrisë ushtarake të Kosovës, me fokus në prodhimin e municioneve, dronëve dhe robotëve.
Integrimi në BE dhe personat e zhdukur
Në fushën e politikës së jashtme, Kurti deklaroi se synimi është që deri në vitin 2030 Kosova të përmbyllë kapitujt e integrimit në Bashkimin Evropian dhe të avancojë në procesin e anëtarësimit. Në ekspoze u përmend edhe angazhimi për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës.
Autostrada e Gjilanit, Prizren-Tetovë dhe Rruga e Dukagjinit
Programi përfshin edhe vazhdimin dhe realizimin e projekteve të mëdha infrastrukturore. Mes projekteve të përmendura nga Kurti janë Autostrada e Gjilanit, rruga Prizren-Tetovë dhe Rruga e Dukagjinit. Zotimet e prezantuara në ekspoze përfshijnë kështu masa që prekin drejtpërdrejt pagat, familjet dhe skemat sociale, por edhe investime afatgjata në industri, mbrojtje dhe infrastrukturë.









