Një konflikt në një lokal në rrugën “Marko Boçari”, pranë zonës së “Petro Nini Luarasit”, përfundoi në tragjedi. Kreshnik Cara, 49 vjeç, humbi jetën pas plagëve të marra në bark, ndërsa policia ka arrestuar 50-vjeçarin Toni Nake si autorin e dyshuar të ngjarjes.
Një konflikt i ndodhur mbrëmjen e djeshmet në Tiranë ka përfunduar me vdekjen e një 49-vjeçari. Kreshnik Cara, i cili u plagos rëndë me mjet prerës pranë shkollës “Petro Nini Luarasi”, nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve, pavarësisht ndërhyrjes kirurgjikale dhe përpjekjeve të mjekëve.
Ngjarja ndodhi në rrugën “Marko Boçari”, në një lokal pranë zonës së gjimnazit. Sipas raportimeve të disa mediave, Cara dhe 50-vjeçari Toni Nake janë përfshirë në një përleshje, gjatë së cilës 49-vjeçari është goditur me thikë në pjesën e barkut. Policia e ka cilësuar paraprakisht konfliktin si të ndodhur për “motive të dobëta”.
Pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë së Tiranës mbërritën në vendngjarje dhe nisën veprimet për identifikimin e autorit. Sipas policisë, 50-vjeçari Toni Nake u identifikua, u kap dhe u vu në pranga pak pas ngjarjes, edhe pse ishte larguar nga vendi.
Edhe ai raportohet se kishte marrë dëmtime gjatë konfliktit dhe është dërguar për ndihmë mjekësore. Kreshnik Cara u transportua me urgjencë në spitalin e Traumës, ku iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale.
Fillimisht, gjendja e tij u raportua si kritike dhe e rëndë, ndërsa në orët e para të mëngjesit të sotëm policia konfirmoi se 49-vjeçari kishte ndërruar jetë.
Grupi hetimor po vijon punën për të dokumentuar plotësisht rrethanat e konfliktit, mënyrën se si nisi përplasja dhe dinamikën që çoi në përdorimin e thikës. Për momentin, motivi përfundimtar i ngjarjes mbetet objekt i hetimit.









