Tensione para Parlamentit, policia përdor spraj lotsjellës

Facebook
WhatsApp

Protesta para Parlamentit kundër Reformës Administrativo-Territoriale është përshkallëzuar këtë të enjte, me përplasje mes protestuesve dhe forcave të policisë. Pas çarjes së barrierave të sigurisë dhe afrimit të protestuesve drejt godinës së Kuvendit, policia ka përdorur spraj lotsjellës për shpërndarjen e turmës.

Protesta ka nisur në orët e mëngjesit, ndërsa përpara Parlamentit janë mbledhur qytetarë dhe mbështetës të opozitës kundër hartës së re territoriale. Situata është tensionuar gradualisht, pasi protestuesit kanë shtyrë barrierat metalike të vendosura nga Policia e Shtetit dhe kanë arritur të çajnë kordonin e parë të sigurisë.

Pas kalimit të barrierave, një pjesë e protestuesve janë afruar drejt perimetrit të dytë të sigurisë, ndërsa ndaj efektivëve janë hedhur vezë dhe sende të tjera. Policia ka ndërhyrë për të zmbrapsur turmën, ndërsa pranë Parlamentit është pozicionuar edhe autoboti me ujë.

Përshkallëzimi i situatës ka vijuar me përdorimin e sprajit lotsjellës nga efektivët e policisë në drejtim të protestuesve. Pamjet nga vendngjarja kanë treguar tensione të forta në zonën përpara Kuvendit, ndërsa forcat e rendit kanë tentuar të rikthejnë kontrollin mbi perimetrin e sigurisë.

Protesta zhvillohet në ditën kur Kuvendi ka në rendin e ditës votimin e Reformës Administrativo-Territoriale. Drafti i propozuar nga mazhoranca parashikon reduktimin e numrit të bashkive nga 61 në 46, duke shkrirë 15 bashki. Për miratimin e reformës nevojiten 84 vota.

Opozita e kundërshton reformën dhe ka kërkuar zgjatjen e punës së Komisionit të Posaçëm për Reformën Territoriale. Përfaqësuesit e saj argumentojnë se procesi nuk ka përfunduar konsultimet e nevojshme me qytetarët dhe pushtetin vendor. Kërkesa për zgjatjen me tre muaj të punës së komisionit është bërë zyrtarisht nga bashkëkryetari opozitar Luçiano Boçi.

Ndërkohë, jashtë Parlamentit situata është shoqëruar me një prani të madhe policore. Efektivët janë pozicionuar përgjatë zonës nga Xhamia e Namazgjasë, përgjatë Rrugës së Elbasanit, deri pranë Ministrisë së Brendshme, ndërsa hyrjet e Kuvendit janë rrethuar me barriera dhe forca të shumta.

Përplasjet jashtë Kuvendit janë shoqëruar edhe me zhvillime brenda sallës së Parlamentit, ku opozita ka vijuar kundërshtimin e reformës. Ndërkohë, protesta vijon mes tensioneve dhe përballjes së protestuesve me forcat e policisë, ndërsa në qendër mbetet votimi i hartës së re administrativo-territoriale.

https://euronews.al/wp-content/uploads/2026/10/WhatsApp-Video-2026-10-08-at-10.20.49.mp4

Never miss any important news. Subscribe to our newsletter.

Lajme të Ngjashme

Never miss any important news. Subscribe to our newsletter.

Lajmet e Fundit

Editor's Pick