Gjatë aksionit janë gjetur dhe sekuestruar disa telefona celularë. Ndërkohë, kontrolli i sotëm vjen vetëm pak orë pas largimit të Adriatik Kupit nga posti i Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve.
Byroja Kombëtare e Hetimit, BKH ka ndërmarrë mëngjesin e sotëm një kontroll të befasishëm në ambientet e paraburgimit të Bradasheshit, ku mes personave të izoluar ndodhet edhe Ergys Agasi.
Sipas informacioneve paraprake, gjatë kontrolleve janë gjetur dhe sekuestruar disa telefona celularë. Informacioni është bërë i ditur nga një punonjës i institucionit penitenciar, ndërsa ende nuk ka një konfirmim zyrtar nga autoritetet.
Kontrollet raportohet se vijojnë edhe në këto momente, ndërsa mbetet e paqartë nëse aksioni është përqendruar vetëm në qelinë e Agasit apo është shtrirë edhe në ambiente të tjera të paraburgimit.
Ky është kontrolli i dytë brenda një muaji në paraburgimin e Bradasheshit. Rreth një muaj më parë, SPAK urdhëroi një tjetër kontroll në sektorin ku mbahet Ergys Agasi, i akuzuar si drejtues i një grupi të strukturuar kriminal që dyshohet se vepronte brenda Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI).
Gjatë atij operacioni, në kuzhinën e sektorit u gjetën dhe u sekuestruan pije alkoolike, si dhe disa pajisje wireless, të cilat u dërguan për ekspertim. Kontrolli ishte zhvilluar pas informacioneve të siguruara nga SPAK në rrugë operative, përmes BKH-së.
Ergys Agasi, i akuzuar se ka shërbyer si koordinator mes grupeve kriminale dhe kryeministrit Edi Rama, u arrestua në zonën e Plepave, në Durrës, pas tetë muajsh në arrati. Më herët, në Francë ishte arrestuar edhe biznesmeni Ermal Beqiri, i akuzuar si bashkëpunëtor i ngushtë i tij.
Ndërkohë, kontrolli i sotëm vjen vetëm pak orë pas largimit të Adriatik Kupit nga posti i Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve.
Autoritetet ende nuk kanë dhënë një njoftim zyrtar mbi rezultatet e operacionit dhe arsyet e kontrolleve të përsëritura në sektorin ku mbahet Agasi.









