Kumbaro dhe Policia apel prindërve: Mbani fëmijët larg dhunës

Facebook
WhatsApp

Ministrja u bën thirrje prindërve të mos lejojnë përfshirjen e fëmijëve në dhunë, ndërsa policia kërkon largimin e nxënësve nga zonat e përplasjes. Kumbaro pretendon se pas kaosit qëndrojnë persona që synojnë destabilizimin e vendit.

Ndërsa protestuesit e rinj janë rikthyer para Ministrisë së Arsimit dhe janë përplasur sërish me policinë, ministrja Mirela Kumbaro u ka bërë thirrje prindërve të mos lejojnë që fëmijët e tyre të përfshihen në akte dhune. Edhe Policia e Shtetit u ka kërkuar nxënësve të ruajnë qetësinë dhe të largohen nga vendet ku ka përplasje.

Përmes një videoje të publikuar në rrjetet sociale, Kumbaro iu drejtua prindërve, nxënësve, studentëve dhe mësuesve, duke theksuar se po fliste jo vetëm në cilësinë e ministres së Arsimit, por edhe si nënë. Ajo u kërkoi prindërve të bashkëpunojnë për të garantuar sigurinë e fëmijëve, ndërsa pretendoi se pas akteve të dhunshme qëndrojnë persona që synojnë destabilizimin e vendit.

“Arsimtarët janë në krye të detyrës, shkollat vijojnë mësimin. Të mos lejojmë që fëmijët tanë të përdoren për qëllime të errëta e të dhunshme, duke i vënë vetë fëmijët në rrezik”, shkruan ministrja.

Në mesazhin e saj, Kumbaro u shpreh se në shumë shkolla mësimi po zhvillohet normalisht, ndërsa vlerësoi se nxënësit dhe studentët nuk duhet të bëhen pjesë e shkatërrimeve dhe dëmtimeve të pronës publike apo private.

“Ndërkohë që flasim, në shumë prej shkollave tona vazhdon mësimi në mënyrë normale. E di që një pjesë e nxënësve janë tërhequr nga prindërit e tyre nëpër shtëpi, me të drejtën legjitime për t’i mbrojtur nga përplasjet dhe nga tymnaja e zezë”, deklaroi ajo.

Ministrja i cilësoi lëvizjet e protestuesve si kaotike dhe pretendoi se ato nxiten nga “duart e errëta”, të cilat, sipas saj, synojnë të përdorin të rinjtë për qëllime të tjera.

“Nuk janë studentët, nuk janë nxënësit ata që shkatërrojnë. Nuk janë nxënësit, nuk janë studentët ata që thyejnë bizneset me të cilat mbahen mijëra familje, përfshirë edhe familjet e vetë fëmijëve tanë”, u shpreh Kumbaro.

Ajo theksoi se e drejta e të rinjve për të protestuar duhet të shprehet përmes dialogut dhe komunikimit, duke u bërë thirrje prindërve, mësuesve, mediave, shoqërisë civile dhe komuniteteve që të bashkëpunojnë për të shmangur përfshirjen e fëmijëve në situata të rrezikshme.

“Ju ftoj që në radhë të parë të kemi bashkëpunim për të mbrojtur fëmijët, për të garantuar sigurinë e tyre fizike, që të mos merren peng nga rrëmuja dhe kaosi. T’i dëgjojmë ata, t’u japim mundësinë të flasin jo përmes shkatërrimit, por përmes komunikimit”, deklaroi ministrja.

Kumbaro e mbylli mesazhin duke kërkuar që shkollat të vazhdojnë të përmbushin misionin e tyre si vatra të dijes dhe duke përsëritur thirrjen për të mos lejuar që fëmijët të përdoren për qëllime që, sipas saj, synojnë destabilizimin e Shqipërisë.

Edhe Policia e Shtetit u është drejtuar nxënësve dhe prindërve me një apel për qetësi dhe kujdes, duke i këshilluar të rinjtë të mos përfshihen në veprime të dhunshme që mund të rrezikojnë jetën, shëndetin dhe të ardhmen e tyre.

“Ju bëjmë thirrje të ruani qetësinë dhe të distancoheni nga çdo akt dhune!”, thuhet në njoftimin e policisë.

Institucioni u kërkon nxënësve të mos lejojnë që të përfshihen në situata të rrezikshme dhe të largohen menjëherë nga vendet ku ushtrohet dhunë. Një apel i veçantë u drejtohet prindërve, të cilëve u kërkohet të këshillojnë fëmijët e tyre që të qëndrojnë larg përplasjeve.

“Siguria e tyre është përgjegjësi e përbashkët!”, thekson Policia e Shtetit, duke shtuar se strukturat e saj janë në terren për të garantuar rendin, qetësinë dhe sigurinë publike, si dhe për të mbrojtur jetën dhe shëndetin e qytetarëve.

Never miss any important news. Subscribe to our newsletter.

Lajme të Ngjashme

Never miss any important news. Subscribe to our newsletter.

Lajmet e Fundit

Editor's Pick