Sipas kryepolicit, pas maskave qe udhëheqin protestën me shembullin e dhunës, nuk janë studentë, por janë individë te rekrutuar për qëllimet e errëta të organizatoreve te vërtetë te kësaj proteste, brenda e jashtë vendit.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita ka dalë në një konferencë të jashtëzakonshme për media, për të adresuar situatën kaotike të shkaktuar nga protestat e dhunshme në Tiranë.
Hita tha se janë plagosur mbi 71 punonjës policie, ndërsa fajësoi influencat e huaja nga brenda dhe jashtë vendit për nxitjen e dhunës në protesta. Ai tha se pas “maskave” nuk fshihen studentë, por individë të rekruruar nga brenda dhe jashtë vendit.
“71 policë të plagosur. Policia e Shtetit nuk është pronë e asnjë partie politike, ajo është pronë e Republikës së Shqipërisë. Misioni ynë është të mbrojmë jetën, pronën. U bëjmë thirrje pedagogëve, mësuesve, të mos lejojnë të rinjtë të bëhen pjesë e dhunës.
Pas maskave që udhëheqësin protestën nuk janë studentë, por individë të rekrutuar, për qëllime të errëta të organizatorëve të vërtetë të kësaj proteste brenda dhe jashtë vendit. Një numër shumë i vogël ishin studentë në djegien e institucioneve. Çdokush do të përballet me ligjin”, deklaroi drejtori i përgjithshëm i Policisë, Skënder Hita.
Deklarata e plotë:
“Prej gati 72 orësh, kryeqyteti po përballet me një valë dhune, sulmesh, zjarrvëniesh dhe shkatërrimesh ndaj institucioneve shtetërore, pronës publike dhe private, duke vënë në rrezik jetën dhe sigurinë e qytetarëve.
Në këto ngjarje deri në këto momente gjatë përmbushjes së detyrës për mbrojtjen e rendit dhe sigurisë publike janë plagosur 71 punonjës të Policisë së Shtetit, disa prej tyre me dëmtime të rënda.
Dua të jem shumë i qartë: Policia e Shtetit garanton të drejtën kushtetuese të çdo qytetari, studenti apo force politike për të protestuar paqësisht. Por protesta nuk mund të jetë mburojë për dhunën, zjarrvënien, grabitjen dhe shkatërrimin e pronës publike e private.
Policia e Shtetit nuk është pronë e asnjë partie politike. Ajo është institucion i Republikës, në shërbim të ligjit dhe qytetarëve. Misioni ynë është të mbrojmë jetën, pronën, institucionet dhe rendin publik, pa dallim.
U bëj thirrje prindërve, mësuesve dhe pedagogëve të mos lejojnë që nxënësit e gjimnazeve dhe studentët të përdoren apo të përfshihen në akte dhune të organizuar.
Të rinjtë kanë të drejtë të protestojnë, të kërkojnë dhe të kundërshtojnë, por askush nuk duhet t’i përdorë si mburojë për të sulmuar institucionet, për të djegur dhe shkatërruar pronën e qytetarëve.
Siguria dhe e ardhmja e tyre janë përgjegjësi e përbashkët e familjes, shkollës dhe e shtetit.
Pas maskave qe udhëheqin protestën me shembullin e dhunës, nuk janë studente, por janë individë te rekrutuar për qëllimet e errta të organizatoreve te vërtetë te kësaj proteste, brenda e jashtë vendit.
Fakti eshte se nga te gjithe te ndaluarit natën e parë të protestës së dhunshme asnjë nga personat nuk rezultoi student. Ndërsa nga të ndaluarit e natës së dytë pas djegies e plaçkitjes masive, një numër shumë i vogël ishin studentë.
Të dashur punonjës të Punonjës të Policisë së Shtetit, sot dua t’u jap një garanci të qartë:
Në këtë përballje me dhunën, keni mbështetjen time të plotë si Drejtor i Përgjithshëm dhe mbështetjen institucionale të Ministrit të Punëve të Brendshme dhe Qeverisë Shqiptare për çdo veprim të ligjshëm në përmbushje të detyrës.
Çdo sulm ndaj uniformës blu është sulm ndaj autoritetit të ligjit dhe shtetit. Kushdo që ka ushtruar dhunë ndaj punonjësve të policisë, ka dëmtuar institucionet, pronën publike dhe private, do të identifikohet dhe do të përballet me ligjin.
Çdo orë shtesë shërbimi do tju njihet dhe do kompensohet sipas ligjit. Sakrifica juaj meriton respektin dhe mbështetjen e plotë të institucioneve.
Ju kërkoj profesionalizëm, vetëpërmbajtje dhe vendosmëri. Mos u provokoni, por mos u tërhiqni nga përmbushja e detyrës! Forca jonë është ligji dhe autoriteti ynë buron prej tij.
Ndërkohë u bëj thirrje pjesëmarrësve në tubime të distancohen menjëherë nga personat e maskuar dhe të dhunshëm dhe të mos bëhen pjesë e akteve të dhunës e të shkatërrimit. Përgjegjësia është individuale dhe do përballeni me forcën e ligjit.
Ndaloni dhunën ndaj punonjësve të Policisë, institucioneve, pronës publike dhe private! Çdo akt dhune rrezikon jetën dhe shëndetin e qytetarëve, veçanërisht të fëmijëve dhe të miturve. E drejta për protestë duhet të ushtrohet në mënyrë paqësore dhe nuk mund të përdoret si justifikim për dhunën dhe shkatërrimin.
Dhe për këdo që mendon se mund të imponojnë vullnetin e tij përmes dhunës, mesazhi është i prerë:
Mos e ngatërroni vetëpërmbajtjen e Policisë së Shtetit me dobësinë!
Policia nuk tërhiqet përballë dhunës. Institucionet do të mbrohen. Qytetarët do të mbrohen. Ligji do të zbatohet me vendosmëri dhe pa asnjë përjashtim”.
Ndërkohë Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka reaguar lidhur sërish lidhur me situatën e krijuar pas tri ditësh protestash, duke shprehur shqetësimin për aktet e dhunës të regjistruara gjatë dy ditëve të fundit.
Përmes një mesazhi publik, Kreu i Shtetit theksoi se Shqipëria është atdheu i përbashkët i të gjithë qytetarëve dhe se çdo kërkesë, veçanërisht ajo e të rinjve, meriton të dëgjohet.
“Shqipëria është atdheu ynë i përbashkët. Ajo është shtëpia e të gjithëve. Kam ndjekur protestat, kërkesat, por me keqardhje edhe aktet e dhunës së dy ditëve të fundit. Zëri i çdo qytetari meriton të dëgjohet, veçanërisht zëri i të rinjve, të cilët përfaqësojnë shpresën dhe të ardhmen e vendit tonë”, shprehet Begaj.
Presidenti dënoi përdorimin e dhunës, duke nënvizuar se ajo nuk mund të shërbejë si mjet për zgjidhjen e problemeve dhe se cenon sigurinë e qytetarëve dhe bashkëjetesën demokratike.
“Por dhuna nuk është dhe nuk mund të jetë kurrë zgjidhja. Ajo dëmton shoqërinë, cenon sigurinë e qytetarëve dhe polarizon bashkëjetesën demokratike”, theksoi Kreu i Shtetit.
Në reagimin e tij, Begaj u bën thirrje të gjitha palëve të tregojnë përgjegjshmëri dhe të shmangin përshkallëzimin e tensioneve, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së rendit kushtetues dhe stabilitetit të vendit. Ai ka shprehur gjithashtu mbështetje për forcat e rendit në përmbushjen e detyrës së tyre, ndërsa ka uruar shërim të shpejtë për të gjithë personat e lënduar, qofshin efektivë policie apo protestues.
“U bëj thirrje të gjithëve të zgjedhin maturinë, të shmangin dhunën dhe të mos lejojnë që tensionet të cenojnë rendin kushtetues dhe stabilitetin e vendit. Inkurajoj forcat e rendit në detyrën e tyre tejet delikate dhe uroj shërim të shpejtë për çdo të lënduar, polic apo protestues”, shkruan Begaj.
Në përfundim, Presidenti deklaron se është i gatshëm të kontribuojë në krijimin e një hapësire dialogu dhe mirëkuptimi, në përputhje me kompetencat që i njeh Kushtetuta.
“Me përgjegjësinë dhe tagrat që më jep Kushtetuta, mbetem i hapur për këdo që dëshiron të ketë një hapësirë dialogu dhe mirëkuptimi sikurse i bëj thirrje aktorëve të përfshirë t’i përkushtohen dialogut dhe bashkëpunimit, në të mirë të rinisë, në të mirë të Shqipërisë”, përfundon Presidenti Begaj.









