U prit në Tiranë si njeriu i Trump, DASH shkarkon Paolo Zampollin

Facebook
WhatsApp

Largimi i tij nga administrata amerikane ndodhi vetëm disa orë pasi POLITICO publikoi një investigim mbi konfliktin e brendshëm në Departamentin e Shtetit.

Paolo Zampolli, i emëruar nga presidenti amerikan Donald Trump si përfaqësues special për Partneritetet Globale, është larguar nga detyra në Departamentin Amerikan të Shtetit.

Vendimi vjen pas publikimit të korrespondencave elektronike që zbuluan përplasjet e tij me zëvendëssekretarin amerikan të Shtetit, Christopher Landau, lidhur me kompetencat dhe kufijtë e funksionit që ushtronte.

Zampolli kishte zhvilluar një vizitë në Shqipëri gjatë muajit shtator, ku realizoi takime me përfaqësues të qeverisë, mazhorancës parlamentare dhe opozitës. Në axhendën e tij përfshihej edhe një vizitë në Kryegjyshatën Botërore Bektashiane.

Largimi i tij nga administrata amerikane ndodhi vetëm disa orë pasi POLITICO publikoi një investigim mbi konfliktin e brendshëm në Departamentin e Shtetit.

Landau kishte kërkuar që Zampolli të kufizonte aktivitetin e tij në diplomacinë kulturore, ndërsa ky i fundit kishte zhvilluar kontakte me zyrtarë të huaj edhe për çështje që dilnin jashtë këtij mandati.

Përplasja mes tyre kishte vazhduar për disa muaj dhe kishte përfshirë në komunikimet elektronike më shumë se dhjetë zyrtarë amerikanë. Mosmarrëveshjet lidheshin kryesisht me autoritetin institucional, respektimin e hierarkisë dhe natyrën e angazhimeve ndërkombëtare të Zampollit.

Një tjetër episod i konfliktit daton në qershor, kur Zampolli akuzoi Landaun se kishte dhënë informacione për një artikull të publikuar në The New York Times. Artikulli trajtonte pretendimet se Zampolli kishte kërkuar ndërhyrjen e autoriteteve amerikane të emigracionit për deportimin në Brazil të Amanda Ungaro, nënës së djalit të tij, në kuadër të një mosmarrëveshjeje për kujdestarinë.

Zampolli i hodhi poshtë pretendimet për kërkesën ndaj autoriteteve të emigracionit, ndërsa Landau mohoi se kishte qenë burim informacioni për gazetën.

Pas ndërprerjes së detyrës, Zampolli konfirmoi largimin nga administrata dhe njoftoi se synon t’i rikthehet aktivitetit privat, duke u përqendruar te biznesi dhe marrëveshjet tregtare.

Zampolli njihet për lidhjet e hershme personale me Donald Trump. Gjatë viteve 1990 ai punonte në industrinë e modelingut dhe përfaqësonte Melania Trump, të cilën e prezantoi me presidentin e ardhshëm amerikan.

Gjatë mandatit të parë presidencial të Trump, Zampolli mori një pozicion në bordin e Qendrës Kennedy. Në administratën e dytë, presidenti e caktoi përfaqësues special për Partneritetet Globale, me përgjegjësi në përfaqësimin e SHBA-së në aktivitete ndërkombëtare dhe zhvillimin e bashkëpunimeve kulturore.

Departamenti Amerikan i Shtetit ka konfirmuar përfundimin e statusit të tij si i dërguar special dhe të marrëdhënies së punës me qeverinë amerikane.

Never miss any important news. Subscribe to our newsletter.

Lajme të Ngjashme

Never miss any important news. Subscribe to our newsletter.

Lajmet e Fundit

Editor's Pick