Studentë dhe pedagogë që po marshojnë sot në Bulevardin Dëshmorët e Kombit, kanë refuzuar thirrjet e kryeministrit Edi Rama për dialog, dhe kanë larguar karriget që ishin vendosur aty nga kreu i qeverisë.Studentët kanë bërë thirrje të vazhdueshme për dorëheqje, dhe thonë se protesta e tyre nuk do të ndalet deri në largimin e qeverisë Rama. Protesta e sotme, nisi pranë Universitetit Politeknik, ndërsa studentëve iu ka dalë në krahë dhe një numër i madh pedagogësh.
Këta të fundit u shprehën se nuk do të ulen në dialog me qeverinë Rama, pa u dëgjuar me parë kërkesat e studentëve të tyre.
Drejtoresha e Agjencisë për Media dhe Informim (MIA), Manjola Hasa, ka zbritur në terren, ku u ka përcjellë protestuesve mesazhin se kryeministri Edi Rama është i gatshëm për dialog. Hasa u shpreh se ftesa për dialog është e hapur për të gjithë studentët, të rinjtë dhe qytetarët që dëshirojnë të zhvillojnë një bisedë me kreun e qeverisë.
Ajo theksoi se ndodhej në terren në emër të qeverisë, duke nënvizuar se të gjithë ata që janë të interesuar për dialog me kryeministrin janë të mirëpritur.
https://www.cdnimpuls.com/video/whatsapp-video-2026-10-20-at-11-24-52-6ad733df3b44a.mp4
“Unë jam këtu nisur nga ftesa e hapur për dialog, për këdo që është i interesuar të dialogojë me kryeministrin. Ka studentë, të rinj, qytetarë që janë të interesuar të dialogojnë. Unë jam këtu. Unë nuk jam këtu të flas në cilësinë e vendimmarrëses. Jam në emër të qeverisë. Qytetarët që duan të bëjnë këtë dialog me kryeministrin janë të mirëpritur, i kanë dyert e hapura”, tha Manjola Hasa.









