Dita e 8\ Tirana mes gazit lotsjellës dhe revoltës së të rinjve

Facebook
WhatsApp

Pas një qetësie të përkohshme pranë Kryeministrisë, tensionet u rikthyen në rrugët e kryeqytetit. Studentët, gjimnazistët dhe pedagogët dolën sërish në rrugë, ndërsa përplasjet me policinë dhe refuzimi i dialogut me Edi Ramën shënuan një tjetër ditë të trazuar.

Tirana e mbylli këtë të martë, nën hijen e një revolte që po zgjerohet përtej pakënaqësive fillestare dhe po kthehet në një sfidë të drejtpërdrejtë për qeverinë. Në ditën e tetë të protestave, skenat e qetësisë së përkohshme pranë Kryeministrisë u pasuan nga tensione të reja, këtë herë edhe pranë Ministrisë së Arsimit, ku studentët dhe pedagogët u përballën me forcat e rendit.

Nga Ministria e Arsimit te Kryeministria, përplasjet rikthejnë tensionin

Dita nisi me një marshim të studentëve dhe pedagogëve, por situata u përshkallëzua gjatë përballjes me policinë. Sipas raportimeve të mediave shqiptare, u përdorën ujë me presion dhe gaz lotsjellës, ndërsa protestuesit hodhën gurë drejt forcave të rendit.

Në orët e para, protesta kishte marrë një karakter të veçantë. Studentët dhe pedagogët u mblodhën fillimisht pranë Kryeministrisë, ku përmbysën karriget e vendosura nga Rama si simbol i ftesës së tij për dialog. Mesazhi ishte i prerë: “Refuzojmë dialogun! Lironi studentët!”.

Ata kërkojnë largimin e kryeministrit dhe kundërshtojnë atë që e konsiderojnë një përpjekje për të shmangur përgjegjësinë politike. Më pas, vëmendja u zhvendos drejt Ministrisë së Arsimit. Atje, përplasjet mes protestuesve dhe policisë e ndryshuan atmosferën e tubimit.

Sipas raportimeve, disa të rinj hodhën gurë, ndërsa forcat e rendit ndërhynë me gaz lotsjellës dhe autobotë uji për të shpërndarë turmën. Përplasjet u shtrinë edhe në rrugët përreth, duke vështirësuar lëvizjen dhe duke detyruar disa biznese të ulnin qepenat për shkak të pasigurisë.

Një nga pamjet më domethënëse të ditës ishte kontrasti mes momenteve të qeta dhe shpërthimeve të tensionit. Pasditen e së martës, pranë Kryeministrisë, një grup të rinjsh kërcyen valle dhe bënë pompa përpara autobotit të ujit, ndërsa policia nuk po ndërhynte.

Por qetësia rezultoi e përkohshme. Sepse ë vonë, protestuesit u kthyen pranë zyrës së Ramës dhe një grup të rinjsh zhvendosi stacionin e autobusit për ta përdorur si barrikadë përballë forcave të FNSH-së.

Një tjetër gjest simbolik ishte vendosja e fotografive të të rinjve që pretendohet se janë dhunuar gjatë protestave, në muret pranë Kryeministrisë. Poshtë tyre ishte shkruar “Dialog???”, një mesazh që shpreh mosbesimin e protestuesve ndaj ofertës së kryeministrit. Për ta, problemi nuk është thjesht mungesa e komunikimit, por mungesa e besimit te institucionet.

Ndërkohë, Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, përmes ODIHR-it, reagoi ndaj raportimeve për dhunë gjatë protestave. Ajo u bëri thirrje të gjitha palëve të ruajnë karakterin paqësor të tubimeve dhe kërkoi që çdo rast i përdorimit të paligjshëm ose joproporcional të forcës nga policia të hetohet shpejt dhe në mënyrë të pavarur.

Përplasjet e ditës shoqërohen edhe me një bilanc të rëndë ndalimesh. Sipas njoftimit të Policisë së Tiranës, të publikuar nga Euronews Albania, pas protestës së së hënës u arrestuan 33 persona dhe 41 të tjerë u proceduan penalisht.

Gjashtë prej të arrestuarve ishin të mitur. Policia deklaroi gjithashtu se, gjatë shtatë ditëve të protestave, numri i të arrestuarve kishte arritur në 271.

Ndërsa qeveria përballet me kërkesat për dorëheqje, protesta po shtrihet përtej një tubimi të zakonshëm studentor. Pakënaqësitë për arsimin, korrupsionin dhe mungesën e perspektivës janë ndërthurur me revoltën kundër qeverisjes së Ramës.

Organizatorët kanë njoftuar gjithashtu një protestë kombëtare të shtunën, në orën 10:00, para Kryeministrisë, me thirrje për pjesëmarrjen e të rinjve dhe shqiptarëve nga diaspora.

Never miss any important news. Subscribe to our newsletter.

Lajme të Ngjashme

Never miss any important news. Subscribe to our newsletter.

Lajmet e Fundit

Editor's Pick