Dua Lipa në GTA 6, videoloja që ka arkëtuar 1.5 miliardë dollarë

Facebook
WhatsApp

Këngëtarja shqiptaro-britanike do të jetë pjesë e kolonës zanore të një prej videolojërave më të shumëpritura në histori. GTA VI ka thyer tashmë rekorde financiare, me mbi 1.5 miliardë dollarë të ardhura nga porositë paraprake, përpara se lojtarët të kenë mundësinë ta provojnë.

Dua Lipa do të jetë një nga emrat e njohur ndërkombëtarë që do të kontribuojnë në kolonën zanore të videolojës së shumëpritur “Grand Theft Auto VI” (GTA 6). Njëra prej këngëve të saj është përfshirë në albumin muzikor “GTA VI: The Album”, i cili përmban gjithsej 34 këngë.

Sipas revistës prestigjioze “Rolling Stone”, këngëtarja shqiptaro-britanike do të jetë pjesë e një projekti ku marrin pjesë edhe artistë të njohur si Lana Del Rey, Zara Larsson, Jennie, Arca, Morgan Wallen, Keith Richards, Travis Scott, Rauw Alejandro, Rina Sawayama, Young Thug, Tove Lo dhe Playboi Carti.

Lajmi për përmbajtjen e albumit u bë publik pasi në internet qarkulluan fotografi të kopjeve të vinilit, të cilat duket se ishin publikuar para kohe. Burime pranë projektit konfirmuan për “Rolling Stone” listën e këngëve. Mes tyre është edhe “Crazy for You” e Lana Del Rey, e cila do të ketë një rol të veçantë në lojë, duke qenë prezantuese e njërit prej radiostacioneve virtuale dhe duke përzgjedhur muzikën që do të transmetohet.

Albumi “GTA VI: The Album” pritet të publikohet më 20 nëntor, një ditë pas daljes së videolojës në treg, e planifikuar për 19 nëntor.

Ndërkohë, interesi për GTA VI ka arritur përmasa të jashtëzakonshme edhe në aspektin financiar. Sipas vlerësimeve të kompanisë së analizave të tregut “Sensor Tower”, porositë paraprake kanë gjeneruar tashmë më shumë se 1,5 miliardë dollarë të ardhura, pavarësisht se loja nuk është publikuar ende.

Vetëm nëntë ditë para lançimit, të ardhurat nga porositë paraprake kishin kaluar shifrën e 1 miliard dollarëve, pothuajse dyfishi i shumës së regjistruar nga “Call of Duty: Modern Warfare II” në të njëjtën periudhë përpara publikimit të saj. Këto shifra e vendosin GTA VI në një kategori më vete për nga pritshmëritë dhe fuqia komerciale.

Videoloja e re vjen pas një pritjeje 13-vjeçare, periudha më e gjatë mes dy publikimeve në historinë e serisë. Pavarësisht disa shtyrjeve të datës së lançimit, interesi i publikut nuk është zbehur.

Paraardhësja e saj, “Grand Theft Auto V”, u bë loja më e shitur e vitit 2013 dhe vazhdon të gjenerojë të ardhura të konsiderueshme edhe sot. Një pjesë e suksesit të saj lidhet me “GTA Online”, versioni me shumë lojtarë që u lançua pak javë pas daljes së lojës dhe që e mbajti gjallë interesin e publikut për vite me radhë.

Me një kolonë zanore ku ndërthuren emra të njohur të muzikës botërore dhe me rekorde financiare të arritura përpara publikimit, GTA VI pritet të jetë jo thjesht një nga videolojërat më të mëdha të vitit, por një prej lançimeve më të rëndësishme në historinë e industrisë së argëtimit.

Never miss any important news. Subscribe to our newsletter.

Lajme të Ngjashme

Never miss any important news. Subscribe to our newsletter.

Lajmet e Fundit

Editor's Pick