Takimi është krahasuar nga analistët me Konferencën e Jaltës të vitit 1945, ku SHBA-ja, Britania e Madhe dhe Bashkimi Sovjetik vendosën themelet e rendit botëror pas Luftës së Dytë Botërore.
Presidenti rus Vladimir Putin dhe homologu i tij kinez, Xi Jinping, zhvilluan një takim kokë më kokë në Shenzhen, një ditë përpara samitit të parë trepalësh me presidentin amerikan Donald Trump, i planifikuar për të enjten, më 19 nëntor.
Sipas “Reuters”, në fjalimin e tij, Xi Jinping bëri thirrje për mbështetjen e një sistemi tregtar të hapur dhe të bazuar në rregulla ndërkombëtare, me Organizatën Botërore të Tregtisë (OBT) në qendër.
Ai tha se Kina do të vazhdojë të ulë tarifat doganore, të hapë më tej tregun e saj dhe të investojë në teknologji të reja, duke kundërshtuar proteksionizmin dhe veprimet e njëanshme.
Deklaratat e Xi vijnë pasi Uashingtoni vendosi kufizime të reja për eksportin drejt Kinës të çipave të avancuar të inteligjencës artificiale, përfshirë ata të prodhuar nga Nvidia.
Pekini ka paralajmëruar se do të kundërpërgjigjet, duke rritur rrezikun e përshkallëzimit të tensioneve tregtare mes dy ekonomive më të mëdha të botës.
Sipas George Chen, partner në kompaninë konsulente The Asia Group, mesazhi i Xi mund të gjejë mbështetje te shumë vende të Jugut Global, pasi Kina po përpiqet të paraqitet si një partner më i qëndrueshëm dhe më i hapur ndaj bashkëpunimit sesa SHBA-ja.
Nga ana tjetër, Vladimir Putin deklaroi se sanksionet perëndimore nuk kanë arritur të dobësojnë ekonominë ruse, por përkundrazi e kanë bërë atë më të fortë.
Ai e përshkroi Europën si në “rënie poshtëruese” dhe tha se mjetet tradicionale të presionit ekonomik, si sanksionet, tarifat dhe kufizimet e eksporteve, nuk janë më efektive për të ndalur zhvillimin e vendeve rivale.
Më vonë, gjatë një takimi dypalësh, Xi dhe Putin vlerësuan partneritetin mes Kinës dhe Rusisë, duke e cilësuar atë si të qëndrueshëm dhe pozitiv në arenën ndërkombëtare. Ata riafirmuan mbështetjen për një rend botëror shumëpolar, ku ndikimi global të mos dominohet vetëm nga një fuqi e vetme.
Ndërkohë, Donald Trump, gjatë vizitës në Filipine, premtoi forcimin e bashkëpunimit ushtarak me Manilën, në një kohë kur tensionet mes Filipineve dhe Kinës në Detin e Kinës Jugore mbeten të larta.
Ai la të hapur edhe mundësinë e një takimi me liderin e Koresë së Veriut, Kim Jong Un, gjatë qëndrimit në Kinë, megjithëse kjo nuk është konfirmuar.
Kremlini minimizoi krahasimet me Konferencën e Jaltës, duke i cilësuar ato si spekulime të analistëve politikë, por pranoi se takimi mes Trump, Xi dhe Putin pritet të ketë ndikim të rëndësishëm në zhvillimet ndërkombëtare. Edhe Pekini e cilësoi këtë takim si një mundësi për të kontribuar në paqen dhe stabilitetin global.
Trump mbërriti sot në Shenzhen pas vizitës në Manila, ku zhvilloi takime me aleatët rajonalë të SHBA-së. Të tre liderët do të zhvillojnë një takim të enjten në kuadër të samitit, ku në fokus pritet të jenë lufta e Rusisë në Ukrainë, konflikti mes SHBA-së dhe Iranit, si dhe çështje të tjera të rëndësishme si tregtia, inteligjenca artificiale dhe armët bërthamore.
Takimi është krahasuar nga analistët me Konferencën e Jaltës të vitit 1945, ku SHBA-ja, Britania e Madhe dhe Bashkimi Sovjetik vendosën themelet e rendit botëror pas Luftës së Dytë Botërore.
Kjo ka shtuar shqetësimet e vendeve më të vogla, sidomos në Europë dhe Azi, të cilat druhen se interesat e tyre mund të anashkalohen nga fuqitë e mëdha.









